Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake – I cili ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar – po zhvillohet sipas planit. Zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes së Kosovës shprehen se ky proces tashmë është në fazën e dytë të realizimit. “Kjo fazë parashikon ngritjen e kapaciteteve luftarake. Gjatë këtyre dy viteve, kemi investuar në sisteme moderne të armatimit… siç është kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin. Por, ky nuk është i vetmi sistem që kemi në plan për të blerë”, është shprehur Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes.

SHBA-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë deri në vitin 2028. Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të ishin ruajtja e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimi i mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare. Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore. Në shumë drejtime, zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes janë shprehur se po punohet me hapa më të shpejtë sesa që ishte planifikuar në planin e transformimit. Një ndër to, ka të bëjë me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së.

Forca e sigurisë së Kosovës aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë. Përveç kërkesës për blerje të raketave Javelin, vitin e kaluar Kosova bleu nga Turqia edhe dronë Bayraktar. Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë erdhën automjete ushtarake, të tipit Humvee. Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle). Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.