Ish-Presidenti Trump po merr pjesë në ditën e fundit të gjyqit civil ndaj tij, që po mbahet në Nju Jork, ku palët do të japin argumentet përfundimtare.
Gjyqi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie për shkak të një kërcënimi ndaj gjyqtarit të çështjes, Arthur Engoron. Zëdhënësi i gjykatës nuk dha detaje të mëtejshme mbi kërcënimin.
Prokurorët kërkojnë vendosjen e një gjobe prej 370 milionë dollarësh ndaj ish-presidentit, të cilin e akuzojnë se ka mbivlerësuar vlerën neto të pasurive të tij për të përfituar kredi nga bankat.
Në padinë e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James thuhet se zoti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, e kanë fryrë vlerën pasurive me miliarda dollarë, me qëllimin për të siguruar për më shumë se një dekadë, kushte më të mira kredie dhe përfitime të tjera financiare.
Zoti Trump, pretendenti kryesor i republikanëve si kandidati i tyre për president, ka mohuar të ketë shkelur ligjin duke e cilësuar çështjen kundër tij, një gjueti politike shtrigash. Ai është ankuar se gjyqi po ndërhyn në fushatën e tij dhe ka përdorur paraqitjet e rastësishme në gjykatë, për të siguruar mbështetje me komente nxitëse para kamerave të mbledhura në ambjentet jashtë sallës.
Ndërkohë të mërkurën, gjykatësi Engoron hodhi poshtë një kërkesë të zotit Trump që t’i paraqiste vetë argumentet përmbyllëse, pasi ish-presidenti nuk ra dakord me rregullat bazë, që e ndalojnë atë të mbajë në gjykatë, një “fjalim fushate”.
Procesi civil i Nju Jorkut është një nga problemet e shumta ligjore me të cilat përballet zoti Trump ndërsa bën fushatë për të sfiduar Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.
Pas paraqitjes së argumenteve përmbyllëse nga palët, gjykatësi Engoron pritet të marrë një vendim në një datë të mëvonshme. Në shtator ai e shpalli zoti Trump përgjegjës për mashtrim, ndërsa procesi në vazhdim u përqëndrua kryesisht tek shuma e parave që zoti Trump duket të kthejë, pasi i ka siguruar në formë përfitimesh të paligjshme.
Zoti Trump e ka apeluar vendimin e mëparshëm të gjykatësit Engoron dhe është pothuajse e sigurt se ai do të apelojë çdo vendim kundër tij, çka mund të bëjë që vendimi përfundimtar të mos merret për më shumë se një vit.
Që nga fillimi, zoti Trump ka kundërshtuar mënyrën se si zoti Engoron ka drejtuar procesin gjyqësor ndaj tij. Në nëntor gjykatësi lëshoi një urdhër që e ndalonte ishte presidentin të bënte komente, duke e akuzuar atë për ofendim të personelit të gjykatës. Zoti Trump është gjobitur me 15,000 dollarë në total, për dy herë shkelje të urdhrit.
Në procesin civil, janë thirrur për të dëshmuar edhe fëmijët e rritur të zotit Trump, Donald Jr., Eric dhe Ivanka Trump. Ata kanë thënë se ishin pak ose aspak të përfshirë në përgatitjen e pasqyrave financiare të babait të tyre gjatë drejtimit të Organizatës Trump. Të tre kanë mohuar të kenë shkelur ligjin.
Ndryshe nga vëllezërit e saj, Ivanka Trump nuk është thirrur si e pandehur.
Veç këtij rasti, ish-Presidenti Trump përballet me katër procese penale këtë vit. Ai është akuzuar në Uashington dhe Xhorxhia për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në Florida për keqpërdorim të qëllimtë të dokumenteve të klasifikuara dhe në Nju Jork, për një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels. Ish-Presidenti Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha këto raste.