Sot në Korçë është përuruar zyra e ndihmës juridike falas, e cila do të ofrojë për të gjitha kategoritë në nevojë, shërbime juridike pa pagesë.
Nga Korça, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se një nga reformat në drejtësi është ndihma juridike falas, ku përfitojnë kategoritë vulnerabël dhe personat me aftësi të veçanta, kategori që nuk janë në gjendje ti marrin këto shërbime juridike me buxhetin e tyre personal.
“Sot jam në Korçë, dhe sapo përuruam zyrën e ndihmës juridike falas e cila do të ofrojë për të gjitha kategoritë në nevojë shërbime juridike falas, të garantuara nga shteti. Është një projekt i financuar nga agjencia austriake për zhvillim dhe UNDP, sigurisht në bashkëpunim me drejtorinë e përgjithshme të ndihmës juridike falas nëpërmjet buxhetit të shtetit.
Shërbimet juridike falas apo në tërësi, janë shërbime që u takojnë qytetarëve si gjithë shërbimet e tjera, por janë të një natyre të veçantë sepse ofrohen nga autoritetet gjyqësore. Ndihma juridike falas ka si kategori përfituese kategoritë vulnerabël dhe personat me aftësi të veçanta, ka si target grup këto kategori që nuk janë në gjendje ti marrin këto shërbime juridike me buxhetin e tyre personal. Nëpërmjet kësaj zyre këto shërbime ua garanton shteti, qoftë ndihmën parësore ashtu edhe ndihmën dytësore pranë gjykatave. Kjo ka të bëjë me aksesin në drejtësi, asnjë qytetari nuk duhet ti mungojnë këto shërbime dhe shteti ka për detyrë tua garantojë.
Ishte një nga risitë e reformës në drejtësi, dhe ky projekt është ndër më të suksesshmit që ministria e drejtësisë po implementon në territor nëpërmjet edhe donatorëve të huaj. Jemi prezent në 20 bashki të Shqipërisë, me zyrat tona të ndihmës juridike falas, 12 prej të cilave i kemi me donatorët, ndërsa 8 zyra të financuara tërësisht nga buxheti i shtetit. Ambicia dhe synimi ynë është të shtrihemi në të gjitha bashkitë e Shqipërisë”-tha Manja.