Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, ka shkuar pasditen e së premtes në SPAK.

Pas daljes nga ambientet e SPAK, ai është shprehur se ka kërkuar që t’i kthehet laptopi. Po ashtu, ai thekson se ka katër javë që ka kërkuar veç të tjerash të gjithë raportet e KLSH, “mbi të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme dhe ende nuk më janë vënë në dispozicion”.

Beqja ka folur edhe për Ermal Kurtulajn, si edhe i kujt është restoranti “Gzona”.

“Nuk e kam apeluar kontrollin e banesës, apo të sendeve që më janë marrë. Kam kërkuar që të nesërmen, që të paktën laptopin ku kam të gjithë materialet e sterilizimit të ma japin sa më shpejt me qëllim që të vijoj komunikimin me SPAK për çështjen e sterilizimit. Siç jam i hapur për të zbatuar gjithçka që kërkon drejtësia, por siç kërkoj edhe nga drejtësia që minimalisht të jetë korrekte me mua. Kam katër javë që kemi kërkuar veç të tjerash të gjithë raportet e KLSH, mbi të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme dhe ende nuk më janë vënë në dispozicion”, tha Beqja.

“Ermal Kurtulajn e njoh prej më shumë se 15 vitesh. E kam njohje të hershme. Që nga maj 2022 ka punuar jo në SASPAC, por në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC”, shtoi ai më tej lidhur me miqësinë me atë që cilësohet nga SPAK si sekseri i tij.

I pyetur nëse e di se i kujt është “Gzona”, Beqaj u përgjigj:

“Është një pyetje që më duket e pavend. Nga shkurti i 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare-ekonomike me familjen time. Bashkëshortja ime është larguar në shkurt 2020, pra para 4 vitesh dhe nga gjithë puna që ka bërë në investimin “Gzona” ka marrë mbrapsht 1.5 mln lekë të vjetër”, tha ai.