Kombëtarja do të jetë në Europianin e Gjermanisë këtë verë, teksa lojtarët po mundohen të marrin minuta në klubet e tyre dhe të bëjnë paraqitje të mira. Legjionarët po punojnë fort që të kenë të sigurt një vend në listën që Sylivnho do të përgatisë për në Gjermani.
Një nga ata lojtarë është edhe portieri, Thomas Strakosha. Gardiani kuqezi që aktivizohet te Bretnford në Premier League nuk po kalon një moment të mirë. Vetëm 2 paraqitje në kampionatin anglez, me vetëm 134 minuta për Strakoshën, që me cilësitë që ka, sigurisht që janë pak. Por në një deklaratë të transmetuar nga mediat angleze, Strakoshës mesa duket i ka sosur durimi dhe kërkon që klubi i Brentford t’i japë zgjidhje kësaj situate sa më parë.
“Sinqerisht, unë kam nevojë të luaj. Duhet të gjej një zgjidhje me klubin. E di shumë mirë se çfarë meritoj dhe çfarë kam bërë në karrierën time. E di se kush jam, kështu që duhet gjetur një zgjidhje pasi dua të luaj. Europiani është përpara dhe duhet gjetur një zgjidhje më e mirë. Nuk do të kisha ardhur kurrë këtu nëse do ta dija se do të qëndroja në stol. Nuk e kam bërë kurrë këtë në jetën time dhe nuk do ta bëj tani. Vitin e kaluar vuajta një dëmtim, por këtë sezon prisja diçka më tepër. Tani thjesht dua të bëj mirë, të gjej një zgjidhje“, është shprehur portieri 28-vjeçar.
Kujtojmë që interes për Strakoshën kanë edhe gjigantët e Bayern Munchen, me këta të fundit që e kërkojnë shqiptarin për të plotësuar 3-shen e portierave me Neuer dhe Ulreich. Por shqiptari vështirë se do të pranojë stolin edhe në Gjermani, sidomos para Europianit.