29 deputetë të opozitës janë përjashtuar në harkun kohor të 3 muajve, në 9 mbledhje të Sekretariatit të Etikës, që nga seanca e 5 tetorit, kur me në krye Sali Berishën tashmë në arrest shtëpie dhe Gazment Bardhin, udhëhoqën aksionin në parlament, herë me përplasje me gardën, herë me tymuese, me bllokim të foltores apo me përplasje fizike me kolegët socialistë.
Kaosit në parlament, socialistët iu përgjigjën me përjashtime pas çdo seance parlamentare. Më i ndëshkuari prej tyre, në mesin e 29 deputetëve, rezulton Gazment Bardhi me 5 përjashtime 10 ditore, pra 50 ditë i përjashtuar nga punimet e Kuvendit. Me po 50 ditë, u përjashtua për aksionin në parlament edhe Bledion Nallbati.
Ky rekord i vendosur prej tyre, mund të thyhet nga Flamur Noka, 4 herë i përjashtuar me 10 ditë, për të cilin në sirtarët e kuvendit ndodhet një tjetër kërkesë për ndëshkim, këtë herë me rregulloren e re, që parashikon deri në 60 ditë përjashtim nga Kuvendi. Flamur Noka ndiqet nga Albana Vokshi dhe Saimir Korreshi, për të cilët gjithashtu u morën katër herë vendime për t’i përjashtuar.
Kësaj ‘top 5-she’ nuk i ka shpëtuar kreu i Rithemelimit, i cili ndonëse politikisht shihet si ideator dhe organizator i lëvizjes në parlament, u përjashtua 2 herë me nga 10 ditë. Lista ndiqet nga një sërë deputetësh të tjerë, të cilët janë përjashtuar 10, 20 ose 30 ditë nga punimet e parlamentit, përgjatë thuajse 3 muajsh kaos në Kuvend. 23 prej tyre, janë përjashtuar vetëm në një mbledhje të Sekretariatit të Etikës, duke vendosur kështu rekordin e numrit më të madh të deputetëve të përjashtuar në një seancë plenare.
Aksionin në parlament, deputetët e opozitës kanë deklaruar se do ta vijojnë edhe pas kthimit nga pushimet, këtë sesion të ri, i cili nis më 15 janar, ku këtë herë në krye nuk do të kenë Sali Berishën, në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të 2023.
Deputetët e përjashtuar:
Gazment Bardhi (5 herë)
Bledion Nallbati (5 herë)
Flamur Noka (4 herë +1 kërkesë për përjashtim)
Albana Vokshi (4 herë)
Saimir Korreshi (4 herë)
Elda Hoti (3 herë)
Lefter Gështenja (3 herë)
Edmond Spaho (3 herë)
Luan Baçi (3 herë)
Sali Berisha (2 herë)
Edi Paloka (2 herë)
Ervin Salianji (2 herë)
Kastriot Piroli (2 herë)
Isuf Çela (2 herë)
Asllan Dogjani (2 herë)
Xhelal Mziu (2 herë)
Lindita Metaliaj (2 herë)
Ramadan Likaj (1 herë)
Ina Zhupa (1 herë)
Helidon Bushati (1 herë)
Zheni Gjergji (1 herë)
Bujar Leskaj (1 herë)
Lodovik Hasani (1 herë)
Tritan shehu (1 herë)
Greta Bardeli (1 herë)
Sorina Kote (1 herë)
Kasem Mahmutaj (1 herë)
Petrit Doda (1 herë)
Flamur Hoxha (1 herë)