Futbolli është një lojë ku “22 burra ndjekin një top për 90 minuta dhe në fund fitojnë gjermanët gjithmonë”, tha Gary Lineker, një lojtar anglez. Për dekada, BE-ja kishte një dinamikë politike të parashikueshme. Pavarësisht numrit të anëtarëve, 6, 12 apo 27, kishte një kompromis, edhe nëse vendimet merreshin nga Gjermania dhe Franca.

Por modeli i vjetër i dominimit nga dy anëtarët e tij më të mëdhenj duket se nuk po funksionon më. Ndërsa Evropa përballet me kriza të përsëritura, një gjeografi e re e pushtetit po merr formë.

Tre vjet epidemi e më pas lufta në Ukrainë kanë ndihmuar në rikonceptimin e projektit evropian. Kjo përfshin ndryshimin e ekuilibrit mbi çështje që kanë rendësi. Mbrojtja dhe zgjerimi drejt lindjes, dikur fusha të politikës së fjetur, tani janë prioritete – duke u dhënë një zë të ri fqinjëve të Ukrainës në Evropën Qendrore.

Rritja e Kinës dhe perspektiva e ringjalljes së Trumpizmit në Amerikë, ka bërë që BE-ja të rimendojë marrëveshjet e saj ekonomike – shpesh sipas linjave statiste franceze. Imperativat klimatike kanë përforcuar vlerën e ndërmarrjes së veprimeve në nivel kolektiv – një qasje e favorizuar nga institucionet thuajse federale të BE-së në Bruksel. Dhe nga Finlanda në Francë, populistët në të djathtën e ashpër po fitojnë ndikim përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.

Jo shumë kohë më parë Angela Merkel ishte liderja e padyshimtë e kontinentit. Pasardhësi i saj si kancelar gjerman, Olaf Scholz, nuk e ka marrë mantelin e saj. Shumë kërkuan nga Emmanuel Macron për ta zëvendësuar Merkelin. Por ai përballet me një situatë gjithnjë e më të vështirë politike në shtëpi, e cila më 8 janar rezultoi në shkarkimin e kryeministrit.

Ai nuk mund të kandidojë për t’u rizgjedhur në vitin 2027 dhe Macron pasqyron një vetëbesim që shpesh ndeshet me liderët e tjerë të BE-së.

Gjermania dhe Franca kanë autoritet të pakrahasueshëm kur janë në një linjë. Por kjo ndodh rerallë.

Pa lidership të qartë, kush ka rëndësi këto ditë varet nga çështja që është në tavolinë.

Merrni mbrojtjen dhe sigurinë, çështjet në ballë të mendjes së të gjithëve, duke pasur parasysh situatën në Ukrainë (dhe së fundmi, Lindjen e Mesme).

Pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022, pakkush kërkoi udhëheqje nga Gjermania: ajo e kishte lënë veten të varur nga gazi rus dhe forcat e saj të armatosura ishin aq të papërshtatshme për qëllimin, sa Scholz deklaroi nevojën për një Zeitenëende, një ndryshim kryekëput në qasje.

Në të kundërt, vendet në Evropën Qendrore, të udhëhequra nga Polonia dhe tre shtetet baltike, u ndjenë të shfajësuar pas vitesh paralajmërimesh për rrezikun e paraqitur nga Rusia.

Ndikimi i tyre është në dy drejtimi: Dërgimi i armëvë në Ukrainë dhe zgjerimi i BE-së.

BE nuk është zgjeruar më që prej Kroacisë.

Tani nëntë kandidatë janë në faza të ndryshme bisedimesh. Më e dukshme është Ukraina, kauza e së cilës u mbrojt nga Evropa Qendrore pavarësisht rezervave fillestare nga Franca dhe Danimarka; më 14 dhjetor krerët e BE-së ranë dakord të nisin bisedimet zyrtare të pranimit.

Kur blloku të zgjerohet në 36 vende, gjë që mund të marrë vite apo dekada, qendra e gravitetit do të zhvendoset në mënyrë vendimtare drejt lindjes.

Më gjerësisht, evropianët qendrorë tani kanë mjaftueshëm peshë për të mos lejuar ecjen para të ideve që burojnë nga perëndimi më i largët. Kryesorja midis tyre është “autonomia strategjike”. Kjo thotë se Evropa duhet të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë të pavarur nga të tjerët, për shembull duke mbajtur më shumë barrën e mbrojtjes së vetvetes.

Politikëbërësit në Poloni ose Sllovaki i shohin garancitë e sigurisë të ofruara nga NATO-dhe si rrjedhim Amerika- shumë më bindëse. Thirrjet franceze për forcat e armatosura të BE-së për të blerë pajisje ushtarake evropiane (dmth, shpesh franceze) janë injoruar kryesisht.

Megjithatë, me gjithë ndikimin që ka Evropa Qendrore kur bëhet fjalë për Ukrainën, zëri i saj mezi dëgjohet kur bëhet fjalë për pjesë të tjera të politikëbërjes evropiane. (Autoriteti moral i akumuluar në Varshavë dhe Bratislavë duke ndihmuar Ukrainën u dëmtua disi pasi ata mbyllën kufijtë e tyre ndaj eksporteve të produkteve bujqësore prillin e kaluar, duke irrituar liderët në Kiev.)

Sepse kur bëhet fjalë për politikën ekonomike, Evropa po shtyhet të mendojë gjithnjë e më shumë në Termat francezë. Këtu, thirrja e qartë e Macron për autonomi strategjike është dëshmuar shumë më e fuqishme. E nxitur nga një mosbesim i gjatë ndaj globalizimit – dhe frika e re për zinxhirët e furnizimit që mund të ndërpriten nga pandemitë ose gjeopolitika e çrregullt – Franca dëshiron që kontinenti të jetë më i vetë-mjaftueshëm.

Tensionet midis Amerikës dhe Kinës, si dhe perspektiva e një administrate të re Trump në vitin 2025, kanë bërë që evropianët e tjerë të dëgjojnë.

Macron ka nxitur nocionin se Evropa ka qenë “naive” në marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës, duke i mbajtur tregjet e saj të hapura kur partnerët e saj tregtarë nuk e kanë bërë këtë (për shembull Amerika me planin e saj proteksionist të tranzicionit të gjelbër, ose Kina me subvencionet e mëdha). Rregullat e BE-së që ndalonin qeveritë kombëtare të përkrahnin industritë e favorizuara u futën në sirtar gjatë Covid-19 dhe nuk u rikthyen kurrë. Me mantrën “Evropa e para”, politikanët tani kanë më shumë kontroll mbi formën e ekonomisë.

Ideja franceze që Evropa të ketë një politikë industriale dikur ishte tabu, por tani është një qasje e pranuar.

Impulset drejtuese të Francës mbizotëruan sepse idetë e saj mbushën boshllëkun e lënë nga Britania, e cila votoi për t’u larguar nga BE në 2016 dhe përfundimisht doli katër vjet më vonë.

Nëse do të kishte mbetur një anëtar i klubit, Britania do të kishte prishur planet franceze me entuziazëm. Tani detyra u është lënë aleatëve të saj të dikurshëm evropianë veriorë, si Danimarka, Irlanda apo Holanda, si dhe komisioni në Bruksel. Por kjo aleancë thjesht mund të zbusë planet franceze, jo t’i parandalojë ato plotësisht.

Britania nuk është e vetmja që nuk gjendet në tavolinën e parë të BE-së. Një mungesë më befasuese është Gjermania: Z. Scholz shihet si i zhdukur në skenën evropiane.

Një koalicion i ndërlikuar që përfshin të Gjelbërit e majtë dhe liberalët e tregut të lirë ka reduktuar aftësinë e tij për të lidhur marrëveshje në Bruksel.

“Koalicioni gjerman ecën më ngadalë se debatet brenda BE-së”, thotë një zyrtar i lartë i Brukselit. Kjo i ka kushtuar gjermanëve sa i përket ndikimit.

Mungesa e Gjermanisë ka qenë shpesh në favor të Francës. Shumë vendime të politikave të BE-së kanë një nuancë të qartë franceze këto ditë, për shembull mungesa e ndonjë marrëveshjeje të re tregtare (të neveritshme për fermerët francezë) ose një lehtësim i pjesshëm i rregullave evropiane që kufizojnë deficitet buxhetore.

Por mungesa e angazhimit gjerman pengon ambiciet e Macron: skemat federaliste të krijuara në Paris me të vërtetë ecin vetëm kur homologët në Berlin aderojnë në to.

Askush nuk mendon se kimia e dobët mes Scholz-it të ftohtë, verior dhe eurofilit të zjarrtë, z. Macron, së shpejti do të përmirësohet.

Në rrethana të tjera, Franca mund të kishte kërkuar aleanca që mund të kishin ndryshuar më tej ekuilibrin e fuqisë. Por ka pak vende ku mund të kërkohet kjo. Italia udhëhiqet nga Giorgia Meloni, populizmi i djathtë i së cilës e bën të vështirë bashkëpunimin.

Holanda po humbet kryeministrin e saj jetëgjatë, Mark Rutte, ndoshta në favor të Geert Ëilders, një aleat ideologjik i zonjës Meloni. Politika kaotike e Spanjës ka kufizuar oreksin e saj për të ndikuar në debatin evropian. Donald Tusk i sapokthyer në Poloni është liberal dhe pro BE-së, por ai ka shumë punë në shtëpi.

Ndoshta përfituesi më i madh i këtij vakumi kanë qenë institucionet e centralizuara të BE-së në Bruksel. Nën drejtimin e Ursula von der Leyen, vetë gjermane, që nga viti 2019 Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka grumbulluar më shumë pushtet se kurrë më parë.

Makina e Brukselit prej 32,000 trupash ka qenë prej kohësh një forcë e frikshme rregullatore, siç kanë gjetur baronët e Silicon Valley gjatë viteve. Por gjithnjë e më shumë ajo ka rënduar edhe në çështjet e politikës dhe gjeopolitikës.

Kjo filloi me Covid-19, kur qeveritë i kërkuan komisionit të mbikëqyrte prokurimin e vaksinave për të gjithë bllokun.

A është kjo shenjë e një Evrope federale në ngritje, një supershtet evropian në krijim? Për ata si Hungaria dhe Polonia, mund të ndihet ashtu. Por ka kufizime në kompetencat e komisionit.

Një pjesë e ndikimit të zonjës von der Leyen rrjedh nga fakti që ajo bashkërendon ngushtë me kryeqytetet kombëtare, për shembull për sanksionet kundër Rusisë. Ajo mund të ndikojë për shembull në qëndrimin e Evropës ndaj Kinës.

Ndoshta ajo është gjëja më e afërt me një lider evropian këto ditë. Por fuqia e saj ende varet nga të tjerët që e ndjekin; ajo do të duhet të bindë liderët kombëtarë që ta riemëojnë atë për një mandat të dytë pas zgjedhjeve evropiane në qershor. Dhe Brukseli ende shpenzon pak më shumë se 1% të PBB-së totale të bllokut.

Zgjedhjet gjithashtu kanë një mënyrë për të riorganizuar rendin evropian. Populistët kanë ecur mirë në Holandë dhe Sllovaki, jo edhe në Poloni dhe Spanjë. Ata pritet të fitojnë terren në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Forca më e fuqishme në Evropën e pasluftës – një konsensus i mprehtë në favor të vlerave liberale dhe shtetit të së drejtës – mund të kërcënohet.

Sapo të kenë mbaruar zgjedhjet në Europë, vëmendja do të kthehet tek ato në Amerikë, ende garantuesi kryesor i sigurisë evropiane dhe një kontribues i madh në përpjekjet luftarake të Ukrainës. Një fitore e Trumpit do të shkaktote frikë.

Fakti që votat e hedhura një oqean larg Parisit, Berlinit dhe Varshavës shkaktojnë frikë në këto vende tregojnë se pushteti në këto vende ka ende shumë për të bërë, të paktën sa i përkët sigurisë. /Përktheu: Vizionplus.tv