Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përgëzoi sot dhe i uroi suksese Adea Pirdenit në detyrën e re, si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Pirdeni mbante më parë detyrën e zv.ministres së Drejtësisë ndërsa ka marrë vlerësime për punën e kryer prej saj.

“Pozitiviteti dhe ekspertiza e Adeas në çështjet e integrimit, administratës publike dhe politikave antikorrupsion kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e imazhit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe në rrugëtimin tonë drejt BE-së”, u shpreh Manja.

Manja tha se në skuadrën e Ministrisë së Drejtësisë që ai drejton, Adea ishte një lojtare e forte. “Duke njohur cilësitë e saj si eksperte, këmbënguljen dhe përkushtimin që e karakterizon, besoj se do ta çojë në një nivel tjetër vizionin e Qeverisë dhe të Edi Ramës për administratën publike dhe antikorrupsionin”, përfundoi Manja.