Një kthesë teknologjike të pabesueshme, mësimdhënia po hyn në një epokë të re me prezantimin e AIda-s, një mësuese virtuale e krijuar përmes inteligjencës artificiale. AIda, që shfaqet në formën e një video-mësueseje, u prezantua në ceremoninë e lançimit të Programit Kombëtar të Zhvllimit Porfesional të Mësuesve, si një burim inovativ dhe interaktiv në mësimdhënie.
AIda u prezantua si një platformë që sfidon nxënësit me pyetje të vështira, duke i përgatitur ata jo vetëm për testet e tyre shkollore por edhe për sfidat e Maturës Shtetërore. “Duke përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale, AIda ofronte një mësimdhënie të personalizuar që përshtatej me nevojat specifike të çdo nxënësi, duke u konsideruar si një nga pikat më të avancuara të mësimit në botë”, kështu e prezantoi krijuesi i saj, Dean Çelaj, ish student i fondit të ekselencës që sapo ka përfunduar studimet në Harvard dhe sot është një sipërmarrës në fushën e teknologjisë digjitale.
Ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e sotëm, ku inteligjenca artificiale po bëhet një pjesë e përditshmërisë së mësuesve në shumë vende dhe MAS po punon për ta sjellë edhe në vendin tonë, pohoi sot, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.
“IA po ndihmon për të përmirësuar nivelet e edukimit. Në pak kohë Deani krijoi një model të mësueses virtuale, zysh Aida, e trajnuar për t’iu përgjigjur nevojave të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Ndërkohe që po punojmë të mbërrijmë edhe në këtë destinacion”, tha Manastirliu.
Mësimdhënia tradicionale dhe mënyrat konvencionale të të mësuarit po përballet me një konkurrencë serioze nga këto teknologji të reja, të cilat premtojnë të hapin horizonte të reja në edukimin e brezave të ardhshëm. AIda është vetëm një shembull i asaj se si të ardhmen e arsimit po e formojnë inovacionet teknologjike, dhe si këto ndryshime mund të kenë një impakt pozitiv në zhvillimin intelektual të nxënësve.