Gaz Bardhi ka lënë në mes “revolucionin”, për të shkuar në SHBA, aty ky “baba i revolucionit” nuk shkel dot, pasi e kanë shpallur non grata.

Ai ka shkuar bashkë me deputeten Dhurata Çupi, për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve.

Kjo gjë bëhet me dije nga Merita B. McCormack, e cila dhe i ka shëtitur ata në Kongres.

“Mëngjesi i së hënës të fundit të janarit na mblodhi në Rrugën e Pavarësisë, pranë ndërtesës së Kapitolit në Uashington DC.

Megjithëse moti ishte i ftohtë dhe era të “thante”, ligjbërësit shqiptarë, deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, zonja Dhurata Çupi, zoti Gazmend Bardhi dhe zoti Everest Dedja, gazetar shqiptar, të porsardhur nga Europa, mbërritën në kohën e caktuar, përpara ndërtesës së bukur Thomas Xheferson, ndërtesa më e vizituar e Bibliotekës së Kongresit amerikan në Uashington DC.

Megjithëse të hënave ky institucion nuk hapet për vizitorët, ligjbërësit shqiptarë dhe gazetari u mirëpritën si miq specialë nga Divizioni European brenda së cilit gjendet edhe “Albanian Desk” (Tavolina ose Seksioni i pavarur i shqipes). Shkruaj i pavarur pasi gjuha shqipe ka pas qenë klasifikuar nën umbrellën e gjuhëve sllavike më përpara e tashmë është direkt nën Divizionin European.

Vizitorët, që gjenden zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Mëngjesin Kombëtar Amerikan të Lutjeve, patën mundësinë e vizitës së koleksionit të referencave për veprat në gjuhën shqipe (kjo përmbledhje përfaqësohet me materiale nga çdo vend ku flitet shqip)”, shkruan ajo.

Edhe pse shumë ftohtë dhe për më tepër që po vizitonte Kongresin, Gaz Bardhi duket se nuk e ka pasur problem të shfaqet me xhinse dhe me një bluzë.