Nga Eduard Zaloshnja

Pas disa dekadave që turizmi është përmendur vazhdimisht si sektori më me potencial për ekonominë shqiptare, vetëm parvjet u bë faktikisht lokomotiva e trenit ekonomik shqiptar (https://shqiptarja.com/lajm/turizmi-lokomotiva-e-rritjes-se-pbbse-shqiptare-me-2022 ). Gjysma e rritjes së PBB-së në Shqipëri më 2022 (zhveshur nga inflacioni dhe tkurrja e popullsisë) i atribuohet dretjtpërdrejt ose tërthorazi rritjes së turizmit (krahasuar me vitin para pandemisë).

Në vitin 2023, ndikimi i turizmit në ekonomi mund të ketë qenë edhe më i madh, falë rritjes galopante të numrit të shtetasve të huaj që u futën në Shqipëri – nga 7.5 milionë parvjet, në 10.1 milionë vjet.
Të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë (nga ndërtimi e deri tek peshkimi) nxiten nga rritja e turizmit. Turizmi, nga ana i tij, nxitet nga zhvillimi i sektorit të kulturës (përmirësimi i siteve arkeologjike e historike, shtimi i festivaleve e eventeve lokale e kombëtare, ardhja e artistëve me famë ndërkombëtare etj.). Gjithashtu, turizmi nxitet nga inovacioni teknologjik, që ua bën më të lehtë turistëve ardhjen, akomodimin dhe shëtitjen sa më efektive nëpër Shqipëri. Dhe të ndërthurura së bashku, ndikojnë në rritjen e mëtejshme ekonomike.

Për arsyet e mësipërme, Ministrisë së Ekonomisë, Artit dhe Inovacionit është mirë t’i shtohet edhe turizmi. Të mbledhura nën një çati administrative, këta sektorë mund ta shtojnë efektivitetin e karburantit që i duhet lokomotivës së ekonomisë shqiptare deri më 2030!