NASA në bashkëpunim me kompaninë Lockheed Martin ndërtuan një aeroplan supersonik, i cili do të jetë i heshtur dhe do të udhëtojë mijëra kilometra në kohë rekord.
Avioni i ri i tipit X-59 me teknologji Quiet SuperSonic është në punë që nga viti 2019.
Është projektuar për të thyer barrierën e zërit, por pa shkaktuar bumin e zërit, pra zhurmën shurdhuese që shoqëron këtë lloj fluturimi. Në fakt, sipas pretendimeve të prodhuesve, tingulli që lëshon kur ngrihet, të kujton në intensitet zhurmën e mbylljes së derës së makinës. Kjo sigurisht mbetet për t’u konfirmuar sapo avioni të bëjë fluturimin e tij të parë, pasi atëherë do të fillojë një studim i madh mbi zhurmën që mund të shkaktojë gjatë kalimit mbi zona të banuara. Modeli u prezantua për herë të parë për publikun vitin e kaluar në verë. Ky aeroplan nuk do të ketë dritare ku do të ulen pilotët, të cilët do të monitorojnë se çfarë po ndodh jashtë aeroplanit përmes një sistemi të posaçëm kontrolli të jashtëm, i cili do t’u paraqesë atyre një realitet të shtuar, të kombinuar me të dhëna dhe informacione të tjera që do të jenë të nevojshme për pilotim.
Gjatësia e avionit do të jetë rreth 30 metra dhe gjerësia e tij do të jetë 9 metra. Shpejtësia e tij do të arrijë gati 1500 kilometra në orë, ndërsa do të fluturojë në lartësinë 16 mijë metra, vetëm me një motor. Për momentin nuk e dimë se sa pasagjerë do të mund të transportojë. Pasi modeli të kontrollohet tërësisht nga autoriteti kompetent i aviacionit amerikan, atëherë mund të fillojnë fluturimet e tij komerciale testuese.
Prezantimi zyrtar i avionit do të bëhet më 12 janar përmes kanalit të NASA-s në YouTube. Nëse vërtet një avion i tillë arrin të fluturojë me shpejtësi të tilla, do të mund të ndryshojë jetën e shumë njerëzve, por sigurisht që nuk do të jetë i aksesueshëm për publikun e gjerë për shumë vite, kryesisht nga pikëpamja ekonomike.