“Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, shpallim vitin 2024, Vitin e Gjuhës Shqipe”, kështu ka shkruar në Facebook-un e tij kryeministri Edi Rama këtë të Mërkurë. Ai ka ndarë dhe një video të ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu e cila ka një mesazh.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit, një ditë që drejton vëmendjen tek rëndësia e edukimit, si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve. Investimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet. Përmes arsimit, mund të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të rrisimin inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social. Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin tonë përpara. Viti 2024 do të jetë ai i nismave dhe programeve të reja të cilat synojnë zhvillimin arsimor të vendit. Por, viti 2024 do jetë dhe një vit ku përpjekjet dhe forcat tona do të fokusohen te ruajtja, mbrojtja, promovimi i gjuhës sonë të bukur shqipe. Në një botë që po ndryshon kaq shpejt nga përdorimi i teknologjisë dhe platformave digjitale dhe ku barrierat e komunikimit thuajse po shuhen, ruajtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një detyrë, por edhe përgjegjësi e të gjithëve si shoqëri. Le ta bëjmë këtë vit, vitin 2024, Vitin e Gjuhës Shqipe”, thotë Manastirliu në mesazhin e saj.