Tani e një javë qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa pasur nevojë të pajisen me viza. Nga një janari deri tani përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë udhëtuar mbi 83 mijë qytetarë në vajtje dhe ardhje. Sipas të dhënave të ANP-së janë realizuar 620 fluturime, 309 në ardhje dhe 311 nisje.
Agjencitë e udhëtimeve tregojnë se është rritur kërkesa për udhëtime jashtë Kosovës. “Vitin e kaluar gjatë muajit janar kemi pasur diku rreth 600 udhëtarë që kanë udhëtuar drejt Zvicrës ndërkaq, këtë vit vetëm në javën e parë të muajit janar kemi pasur diku rreth 800 qytetarë”, tha Ruzhdi Kurtishaj, pronar i një agjencie udhëtimi.
Kërkesa për udhëtime ka bërë që kompanitë të shtojnë numrin e linjave. “Vitin e kaluar kemi operuar me tre apo katër nisje, këtë vit kemi pesë herë nisje për në Zvicër”, shtoi Kurtishaj.
Nga Stacioni i Autobusëve të Prishtinës bëjnë të ditur që janë shtuar dy linja të udhëtimeve ndërkombëtare gjatë javës e të dielën janë realizuar shtatë udhëtime shtesë me autobusë.
Nga një janari Kosova ka fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në 27 vende të zonës Shengen.