Violetta Berisha është kryetarja e parë shqiptare-amerikano e Bashkisë Fairview në New Yersey, SHBA.
Lajmin e bëri të ditur shefi i misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, Blerim Reka, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Violetta Berishës. Reka u shpreh se ajo na bëri krenarë gjithë shqiptarëve.
“Mbrëmë në ceremoninë e betimit solemn të Prefektes së Fairvieë, Violetta Berisha, të parës shqiptaro-amerikane në krye të qytezës në historinë e saj 139 vjeçare. Në praninë e guvernatorit të Nju Xhersit, Phil Murphy, kongresistit Bill Pascrell, e zyrtarëve të lartë të këtij shteti amerikan, Violetta na bëri krenarë gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Reka.
Edhe presidenti Bajram Begaj, ka shprehur urimet për Violetta Berishën, me origjinë nga Puka, duke e cilësuar si një moment historik për komunitetin shqiptar në SHBA.
“Urime Violetta Berisha për betimin si Kryetare e Bashkisë së Fairview, New Jersey. Ky është një moment historik jo vetëm për të, por edhe për komunitetin shqiptar në SHBA. Suksesi i saj si gruaja e parë shqiptare që merr një detyrë të tillë është një model frymëzimi dhe krenarie”, ka shkruar Begaj në Facebook.