Kryeministri Edi Rama përmendi gjithashtu edhe rëndësinë e investimeve dhe projekteve që do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Lezhë. Kreu i qeverisë tha se ka disa projekte spektakolare ndërsa shtoi se duhet të bëhen gjëra cilësore që tërheqin konsumatorët e lartë.

“Bypassi që kemi folur është në proces, nuk hyn te infrastrukturat e mëdha, është kërkesë e kryetarit të bashkisë së Lezhës që për hir të së vërtetës është shumë e drejtë. Duke qenë se e njeh shumë mirë zonën. E kemi në proces. E ndjek me vëmendje nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar por është nga ato ndërhyrje që kanë të bëjnë me turizmin dhe po ecën. Shoh një gjë tjetër, disa projekte vërtet spektakolare për zhvillimin e turizmit në Lezhë, kemi kaluar para disa ditësh një projekt zhvillimi që na erdhi si kërkesë i një sipërmarrje të rëndësishme në Kosovë.

Ka qenë kënaqësi për projektin dhe për faktin se një sipërmarrje në Kosovë investon në bregdetin shqiptar. Kemi një tjetër projekt të cilin e ndjek këmba këmbës, një projekt zhvillimi në këtë segment që është shumë premtues. Lezha ka kaluar në faza dramatike qeverisje dhe kanë ndodhur masakra të mëdha por e mira është që ka zona që nuk janë shkatërruar dhe mund të presim zhvillime. Por ajo që ka ndodhur më Shëngjinin si rezultat i punës së disa sipërmarrësve, i punës së kryetarit të bashkisë që e ka bërë Shëngjinin shembullin e ndjekur nga të tjerët të pastërtisë në sezon dhe të rregullit bën që Shëngjini të duket vërtet si një segment i rivierës spanjolle.

Me këto zhvillime që ne presim dhe investime që ne po kërkojmë, na duhet të sjellim në Lezhë konsumatorë të lartë. Ata që vijnë për të shpenzuar shumë, na bëjmë të rrisim pagat, ekonominë, të ardhurat edhe të familjeve edhe të shtetit. Jam optimist për Lezhën, për këtë zonë, pjesa sipër është një mrekulli dhe ajo që ne do të bëjmë është që t’i orientojmë sipërmarrësit që të shikojnë nga cilësia. Duhet të bëjmë gjëra që të jenë cilësore dhe kështu do ta bëjmë Shqipërinë jo vetëm me numra. “, u shpreh Rama.