Pas brengave dhe trishtimit që kaloi me vajzën e parë, shqetësimi i Selamiut ishte se nuk do të gjente ndonjëherë një grua që mos të kishte asnjë problem në biografi. Ama, fati i buzëqeshi sërish!
Ashtu siç kishte emrin, bashkëshortja e tij, Flutura, erdhi në jetën e Selamiut si një simbol i dashurisë dhe transformimit. Ajo ishte shumë mirëkuptuese ndaj sfidave që ai kishte kaluar dhe e përqafoi atë me gjithçka kishte.
Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Selamiu tregon se kur i rrëfeu për herë të parë ngjarjen ‘fatale’ bashkëshortes, kjo e fundit e ngushëlloi duke i thënë se nuk ka asnjë problem, ndonëse për vajzën tjetër i vinte keq.
Ardit Gjebrea: Ta prezantuan apo e njohët vetë?
Selamiu: Jo, ma prezantuan njerëz të mi, që e njihnin nga afër. Në takimin e parë që bëra me Fluturën, i thashë: “Ti vajzë, unë kam një ngjarje, kam një fatkeqësi në jetën time”.
Ardit Gjebrea: Ia tregove?
Selamiu: Po patjetër, ajo ishte e para, ajo më mundonte. Qëndrimi i saj fisnik Ardit më bëri përshtypje dhe më tha: “Më vjen keq për atë vajzën, e vë veten në pozitë të saj. Më vjen keq edhe për juve, për këtë fatkeqësi që keni pasur, por për mua nuk ka asnjë problem”. Kjo më lehtësoi shumë të them të drejtën.
Ardit Gjebrea: Biografinë e kishte në rregull.
Selamiu: Biografinë e kishte në rregull.
Selamiu, ndonëse ndau historinë e tij të trishtë, në emision kishte ardhur për të falënderuar bashkëshorten e tij, pasi asaj i është dashur të bëjë shumë sakrifica, për shkak të punës që ai ka pasur si ushtar.
Flutura ishte gjithmonë aty, në çdo ndryshim që pësonte jeta e Selamiut; ajo adaptohej më së miri dhe gjente gjithmonë një rrugëzgjidhje për të qenë afër bashkëshortit, por edhe për të mbajtur dashurinë gjallë. Ata sot kanë dy djem, të cilët janë ushtarë dhe janë martuar me vajza ushtare.
Ardit Gjebrea: Ju sot keni ftuar Fluturën në program.
Selamiu: Arsyeja që kam sjellë bashkëshorten time është për ta falënderuar dhe për të treguar një mirënjohje. E para është që, si një bashkëshorte ushtaraku, e besoj edhe në publik dhe teleshikuesi, por dhe nga zonjat e nderuara, do ketë ndonjë familje ushtaraku, do më kuptojnë dhe vlerësojnë drejtë për sakrificat që kanë bërë bashkëshortet tona. Këtu, duke falënderuar time shoqe, unë shpreh dhe një mesazh për të gjitha bashkëshortet e shokëve të mi, që kanë qenë shumë të privuara nga jeta civile, nga jeta shoqërore. Ju ka rënë një barrë e rëndë, për të përballuar në raste të veçanta vetë rritjen e fëmijëve, për shkak të mungesave tona të shërbimit, të stërvitjeve.