Pas dy avionëve F16-të amerikane, që u panë si mesazh për Republikën Sërpska, edhe BE-ja ia përcolli entiteti serb të Bosnjes paralajmërimin e saj: 9 janari që konsiderohet si Dita e Republikës Sërpska, si festë nga blloku, konsiderohet antikushtetuese. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano përsëriti se Brukseli e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar dhe dënon me forcë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse.
“Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnje e Hercegovinën. Ai pozicion është se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të frenohen nga retorika që i vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, deklaroi Stano. Ai argumentoi se përcaktimi i 9 janarit si festë jokushtetuese, bazohet në vetë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës.
“Gjykata Kushtetuese e Bosnjës është shprehur dy herë shpallja e kësaj date si ditë feste në Republikën Sërpska nuk është në përputhje me rendin kushtetues të vendit”, tha ai.
I pyetur për pasojat e mundshme pasi lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka bërë kërcënime të vazhdueshme për shkëputjen e saj nga Bosnja, Stano nënvizoi se ato mund të jenë financiare, ekonomike apo të ndonjë lloji tjetër dhe se e kanë tashmë platformën për sanksione në këtë rast.