Shqipëria përmirësohet ndjeshëm në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International. Kështu, vendi renditet në vendin e 98 nga 180 vende të përfshira në raport për vitin 2023. Një përmirësim i dukshëm krahasuar me një vit më parë, kur Shqipëria ishte në vendin e 101. Për vitin 2023, Shqipëria ka marrë 37 nga 100 pikë të mundshme, rritje me një pikë nga një vit më parë ku Shqipëria numëronte 36 pikë.
“Shqipëria ka shënuar përmirësim në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë. Vendimi për themelimin e një ministrie përgjegjëse për antikorrupsionin vjen me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit”, shkruan Transparency International. “Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport. Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik. Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni.
“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valérian. Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht. Somalia me 11 pikë, Venezuela me 13 pikë, Siria me 13 pikë, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë zënë vendet e fundit në Indeks.
Rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë Shqipëria ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, i dyti me rezultatin më të dobët pas Afrikës Nën Sahariane. “Hapat mbrapa në demokraci dhe dobësimi i sistemeve të drejtësisë, që janë mjaft të përhapura, po minojnë kontrollin ndaj korrupsionit, ndërsa institucionet si policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh nuk janë në gjendje të hetojnë dhe ndëshkojë ata që abuzojnë me pushtetin”, thuhet në raport. Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja. Në këtë nëngrup bëjnë pjesë Ukraina dhe Rusia dhe raporti thotë se lufta dhe inflacioni kanë rritur nivelet e varfërisë dhe për këtë arsye është thelbësore që udhëheqësit të veprojnë për të mirën e përbashkët.
“E megjithatë ka shembuj të panumërt të zyrtarëve publikë që ndikojnë sistematikisht mbi politikat dhe institucionet për të rritur fuqinë e tyre dhe vjedhin fondet publike. Udhëheqësit duhet urgjentisht të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat dhe demokracinë, por në fakt shumë prej tyre po i sulmojnë sistematikisht”, thotë raporti. “Në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit ruajnë pandëshkueshmërinë për korrupsionin për ata në qarqet e tyre të privilegjuara”, thotë Transparency International, duke theksuar se për Gjeorgjinë dhe vendet në në Ballkanin Perëndimor, “këto praktika të vazhdueshme janë pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”/VOA