Policia Rrugore ka nisur që prej ditëve të para të janarit vendosjen e gjobave edhe ndaj këmbësorëve që kalojnë në mënyrë të gabuar rrugën. Masat ndëshkuese janë aplikuar dhe po vijojnë të merren ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë vijat e bardha, apo që kapërcejnë bordurat e rrugëve.

Policia Rrugore thekson se veprimet e këmbësorëve nuk janë vetëm të kundraligjshme, por gjithashtu rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të tjerëve. “Ne, kemi marrë masa ndëshkimore ndaj këtyre veprimeve gjatë muajit të fundit. Kjo është një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës. Le të bëhemi bashkë për një rrugë më të sigurt! Kujdesi nis nga secili prej nesh! Respektoni vizat e bardha”, apelon Policia Rrugore.

Edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar një video në rrjetet sociale teksa shihen qytetarët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe që neglizhojnë rëndësinë e vizave të bardha.

“Këto veprime nuk janë vetëm të kundraligjshme, por gjithashtu rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve. Policia Rrugore po bën çdo përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës. Le të bëhemi bashkë për një rrugë më të sigurt! Kujdesi nis nga secili prej nesh”, apelon ministri Balla.