Projekti “Step by Step” ka nisur nga puna edhe këtë vit, teksa në “Shtëpinë e Futbollit” për dy ditë me radhë janë stërvitur lojtarë të grup-moshës U-15 dhe U-17, të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar.

I gjithë procesi është monitoruar nga Drejtoria Teknik e FSHF-së dhe nga specialistët e Departamentit të Ekipeve Kombëtare, teksa seancat stërvitore janë drejtuar nga trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo dhe trajneri i Kombëtares U-17, Ardi Behari.

Lojtarët e grumbulluar kanë punuar në aspektin fizik e teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual pasi synimi kryesor është për t’i rritur ato në të gjithë elementët fizik-teknik-taktik por edhe në aspekt ekipor.

Me futbollistët e grumbulluar do të punohet çdo javë. Në muajin janar lojtarët e grup-moshës U-15 dhe U-17 do të grumbullohen sërish më datë 23.

Ndërsa më datë 29 janar në kuadër të projektit “Step by Step” do të grumbullohen edhe lojtarët e grupmoshës U-19 që do të vihen nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares U-19, Ervin Bulku.

Projekti “Step by Step” ka si qëllim të angazhojë të gjithë futbollistët e grupmoshave U-15, U-17 dhe U-19 të cilët jetojnë në Shqipëri, pasi synohet që të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare, në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve kombëtare të moshave.