Nga Jakin Marena
Kreu i Foltores Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, me vendim të Gjykatës së Posaçme janë nën arrest shtëpiak prej fundit të vitit të kaluar.
Pavarësisht ‘piruetave’ të avokatëve mbrojtës për të zvarritur sa më shumë procesin, herë përmes ankimimeve në shkallët më të larta të gjyqësorit për ndryshimin e masës së sigurisë apo dhe për të shkuar njëherë në javë për të marrë pjesë në procesin e hedhjes së tymueseve në Kuvend, asgjë nuk ka lëvizur në ndryshimin e statusit të Berishës dhe Malltezit si persona nën arrest shtëpiak.
Për më tepër që Berisha dhe këtë masë sigurie e ka shumë të butë në raport me akuzën që i rëndon mbi supe për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, pra atë të korrupsionit pasiv, masë e butë që vjen si ‘bonus’ për efekt të moshës së tij të thyer. Eshtë 80 vjeçar Berisha, pavarësisht se nuk do që ta pranojë se ka hyrë në fazën e pleqërisë së thellë.
Ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili është nën akuzën për pastrim parash, po për aferën e “Partizanit’, përmes të cilës përfitoi me një dorë plot 5.4 milionë euro, është vërtetë nën arrest shtëpiak, gojët e liga thonë se ia bëri si ‘qokë’ gjyqtarja, mikeshë e bashkëshortes së tij Argita Berisha Malltezi këtë ‘bonus’, në procesin e radhës në gjykatë, mund të rikthehet sërish në qeli. Pasi akuza ndaj tij e tillë parametrave është.
Por sjellja e Berishës dhe e dhëndrit të tij, ‘djaloshit’ Jamarbër, i vlerësuar nga vjehrri i tij për zotësinë për të bërë miliona euro dhe nga një copë vend, dhe ai i stërpaguar që nga italianët si pronë në mes të Tiranës, ka habitur jo vetëm shqiptarët por dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Por me sa duket s’ka habitur drejtësinë e re e cila duket se ka zgjedhur rrugën e ndërmjetme, për t’i nxjerrë të dy nga ‘binarët’ normalë, atë të bërjes së një ‘syri qorr’ dhe një ‘veshi shurdh’ ndaj thyerjes së masës së arrestit, pasi të dy kanë komunikuar me publikun apo me militantët e Foltores për çdo ditë që ka falur Zoti. Kjo ndoshta i ka detyruar Berishën dhe Malltezin të sillen në mënyrë të çuditshme, në të gjitha planet, aq sa nuk ka psikolog që e shpjegon sjelljen e tyre.
Në krye të herës duhet të themi se lënia në arrest shtëpiak e Berishës për shkak të moshës nuk ka asgjë anti-ligjore, pavarësisht se sikurse e thonë dhe sondazhet pothuajse të gjithë shqiptarët e duan Berishën në qeli. Por drejtësia vepron ftohtë, ndryshe nga ajo çka duan deri në dëshpërim shqiptarët. Mirë bën, është në të drejtën e kësaj drejtësie të marrë tërë kohën e duhur për të bërë një hetim shterrues, pavarësisht dëshirës së shqiptarëve për ta parë sa më parë në qeli Berishën.
E kemi fjalën për shkeljen e masës së arrestit shtëpiak që bën Berisha, sa herë që del në dritaren e pallatir tërësisht të tij në rrugën “Mustafa Matohiti’ ku mban fjalime përpara atyre 30-40 mbështetësve që i kanë mbetur, nën drejtimin e besnikut të tij Flamur Noka. Se të tjerët i janë larguar me kohë e me vakt. Duke llogaritur këtu dhe Bardhin e deputetët që e ndjekin, të cilët dhe në mbledhjen e fundit deklaruan se duhet një ‘qeveri hije’ e opozitës, por pa Berishën brenda saj. Pra pa të shkuarën Berisha.
Madje këta deputetë, duke filluar që nga Bardhi e përfunduar tek Dashnor Sula deklarojnë se kreu i SPAK Altin Dumani është njeri me integritet të lartë moral dhe profesional dhe ka tërë mbështetjen e tyre në punën që ai po bën për hetimin e korrupsionit madhor e krimit, dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend. Shohin dhe Berishën brenda!
Këta deputetë shprehen qartë kundër mbajtjes peng të opozitës nga ‘non grata’, duke u deklaruar se aleanca me SHBA, Britaninë dhe BE është jetike për opozitën dhe për Shqipërinë. Por duke nënvizuar fort se pa këtë aleancë është e pamundur që të pretendohet që kjo opozitë të vijë ndonjëherë në pushtet.
Janë pikërisht këto qëndrime që bien ndesh me qëndrimin e Berishës, i cili i ka shpallur luftë SHBA, Britanisë e BE, përmes deklaratave kundër tyre, se është Soros ai që e bën ligjin, si dhe i ka shpallur luftë dhe drejtësisë së re, SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.
Nuk ka ditë që Berisha të mos dalë në dritaren e pallatit të tij e të akuzojë me emër e mbiemër Altin Dumanin, Arben Krajën, Enkeleda Millonain, Irena Gjokën dhe tërë strukturat që përfaqësojnë, duke i cilësuar deri bandë dhe grup i strukturuar kriminal. Madje Dumanin e cilësoi si të dytin më të korruptuar në vend. Akuza se i shërbejnë Edi Ramës është më e lehta e artikuluar nga Berisha tashmë, megjithëse e di si dreqi se ‘pultin e komandimit’ kjo drejtësi e ka në Uashington kryesisht, por dhe në Bruksel, Londër e Berlin.
Dhe pasi u paraqit në SPAK në seancën e pyetjeve disa ditë më parë, Berisha para atyre pak njerëzve që e shoqëruan atje, që nga godina e burgut 313 e deri në godinën e SPAK, fjalët e para që tha ishin akuzat ndaj Dumanit e prokurorëve të Posaçëm, si dhe gjyqtarëve të posaçëm, duke i akuzuar si të korruptuar e organizatë kriminale. S’kurseu askënd në akuza, madje duke deklaruar se ata ishin të trembur për vdekje para tij. Arriti deri atje sa të thotë se i kishte marrë ai në pyetje, dhe jo prokurorët atë.
Në të njejtën gjatësi vale ka qënë dhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili para kamerave nuk la akuzë pa bërë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm, duke përdorur të njejtin fjalor si vjehrri i tij. Madje dhe gjatë arrestit shtëpiak, ndonëse nuk kishte njerëz poshtë dritares, por i mbante kameran doktorit në dritaren e katit të tetë të pallatit të kësaj familjeje, nuk ka heshtur. Herë pas herë ka postuar reagime të ashpra ndaj drejëtsisë së re.
Por dy elementëve jemi munduar t’u japim shpjegim, pa pretenduar se kemi dhënë një version shterrues për këtë, dhe pa marrë as atributet e psikologëve që merren me këtë punë. Ata e bëjnë shumë më mirë, ndonëse kanë frikë për ta thënë, por në biseda tavolinash e përmendin shpesh.
Sulmi i Berishës ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm tregon se atë e ka pushtuar sindromi i frikës nga drejtësia e re, e cila po tregon hap pas hapi se nuk pyet se kush është Berisha, por sheh vetëm provat dhe faktet, të cilat në dosjet në ngarkim të ish kryeministrit vërshojnë nga të gjitha anët. Madje ‘certifikohen’ dhe nga Strasburgu, si në rastin e 21 janarit 2011, kur me urdhër të tij, spas akuzës, Garda vrau 4 demonstrues të opozitës para kryeministrisë.
Dhe në raste të tilla, për të ‘përmbytur’ frikën, personi i trembur, siç ndodh me ata që gjenden papritur nën pushtetin e errësirës së frikshme fillojnë e flasin me vete, bërtasin me të madhe. Madje kërcënojnë dhe drurët që u duken si armiq.
Kjo ka ndodhur dhe me Berishën, i cili u sulet të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, me shpresën se mund të mundë frikën e vet. Pasi e di se nuk u bën dot asgjë, pasi ata po e tregojnë se janë të vendosur në të drejtën e tyre për të hetuar paanësisht dhe pa frikë. Berisha fut pak këtu dhe atë teorinë e kohës së komunizmit, ka qënë sekretar PPSH për shumë kohë Berisha, e cila ishte implementuar dhe në artin ushtarak sipas të cilës “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Ndaj i sulmon SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme. Me këtë shpresë. Por dhe për të mbajtur me gajret mbështetësit e paktë, për të mbajtur në këmbë ‘mitin e të paprekshmit” dhe të “sypatremburit” , i cili është shuar tashmë dalëngadalë.
Por teksa po shohim vijën e sjelljes së Berishës gjatë tërë kësaj kohe, sidomos pas daljes nga seanca e pyetjeve në SPAK për “Partizanin”, në mendje na vjen rasti i hetimit, gjykimit dhe dënimit të Al Kapones në ato vite të largëta të fillim shekullit të kaluar. Kemi lexuar apo parë në ekranet televizive si u soll ai me prokurorët e gjyqtarët federalë. Kur në momentin e fundit kur i komunikuan disa prova aq sa për ta dënuar për evazion fiskal, dënim të cilin nuk e vuajti deri në fund pasi u nda nga jeta parakohe në qeli, Al Kapone iu sul prokurorëve federalë, me akuza nga më të ndryshme, nuk ndryshonin në përmbajtje nga ato që hedh Berisha ndaj SPAK, duke tentuar madje e sulmin fizik ndaj tyre , teksa ishte në një destabilitet të plotë njerëzor. Kushte humbur.
Dhe si për të na plotësuar të plotë kuadrin e përngjasimit me Al Kaponen të Sali Berishës, ka menduar dhëndri i tij Jamarbër Malltezi me atë paraqitjen që bëri dhe ai para SPAK. E kemi fjalën për mënyrën se si ishte veshur. Pasi në kokë mbante kapelen ‘Republika’. Kishte veshur xhaketë me jelek kafe e kollare të verdhë e në xhep mbante një shami të kuqe. Duke na kujtuar portretet e botës së krimit të viteve ‘40 në SHBA, personazhet e filmit të famshëm “Kumbari’, (Il Padrino) Don Korleones, bosit më të urryer të Cosa Nostra-s dhe familjes mafioze në SHBA.
Gjithkush mund të pyesë se përse Jamarbër Malltezi zgjodhi këtë mënyrë që të vishej për t’u paraqitur në SPAK si personazhet mafioze të fillim shekullit të kaluar, duke mos preferuar të heqë as kapelen ‘borsalino’ para prokurorëve të dosjes Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja. Deri sa këta të fundit ia kujtuan këtë gjë!
Nuk mund ta shpjegojmë se çfarë mesazhi deshi të jepte para prokurorëve, egërsi para Krajës dhe Minollait, apo për të treguar se është dhëndri i të ‘fortit’ Sali Berisha e duhet të maten mirë, pasi ai merr nëpër gojë gjithë dynjanë e ua merr ‘erzin’ dhe atyre. Me më shumë të pavërta në akuzat e tij, duke lëshuar mesazhin se do t’i bëjë pis. Një mesazh që nuk ngjit tashmë, ka marrë fund frika nga kërcënimet e Berishës, jo më të frikësohen nga dhëndri i tij pa peshë.
Mirë Berisha që bën si i fortë, i paprekshëm, si Al Kapone, se ndoshta nga hallet që ka dhe nga pleqëria e thellë që i ka ardhur, është proces biologjik kjo pleqëria e shkretë dhe të merr takatin por dhe mendjen, por dhëndri i tij pse e plotëson formatin e paraqitjes kot në një stad të tillë, në versionin ‘Al Kapone’?
Për hir të së vërtetës, Berisha si Al Kapone është sjellë me shqiptarët sa herë ka qënë në pushtet, por dhe në opozitë, e viktima ka shumë e më shumë se ish Perandori i mafias, por pse po lodhen të ‘’zbulojnë’ veten në mënyrë kaq të trashë, mund të pyesë shumëkush. Me sa duket akuzat e rënda që kanë mbi kurriz po i detyrojnë të nxjerrin veten ashtu siç i mendojnë shqiptarët.
Megjithëse drejtësia ka punën e vet, ka provat dhe faktet e veta. Ne duhet të jemi të duruar të presim deri në fund, deri në vendimin përfundimtar, i cili mund t’i dërgojë në qeli këta keqbërës dhe t’u marrë paratë për t’i kthyer në arkën e shtetit, t’i dënojë dhe për pastrim parash qoftë dhe për evazion fiskal. Ose t’i nxjerrë të pafajshëm nëse drejtësia s’ka prova e ata ta gëzojnë lirinë, të gëzojnë dhe paratë që kanë fituar pa mund e djersë.
Por ajo që nuk ndryshon me asnjë vendim gjykate është i qartë: Ata dhe ‘sivëllezërit’ e tyre do gëzojnë sa të kenë jetë mallkimin e viktimave që kanë shkaktuar, mallkimin e të afërmeve të tyre, mallkimin e atyre që janë vjedhur e dhunuar. Do gëzojnë në jetë të jetëve mallkimin e të gjithë shqiptarëve. Kjo është e sigurtë!