Nga Malvina Tare
Vetëm pak vjet pas hyrjes në skenën politike, Dritan Abazoviqi arriti që të bëhet kryeministër i Malit të Zi. 36-vjeçarin nga Ulqini, i cili më 2015 i priu themelimit të lëvizjes qytetare URA, tani drejton nga karrigia e shefit të Qeverisë së Malit të Zi.
Para 30 vjetëve, do të ishte jashtëzakonisht qesharake dhe e pabesueshme që në krye të një shteti, siç është Mali i Zi, do të vinte një shqiptar. Kjo sot është realitet. Prandaj edhe politika quhet si arti i së mundshmes.
Po njësoj siç po ndodh në Maqedoninë e Veriut sot. Talat Xhaferri, dikur komandant, sot hyn në histori si kryeministri i parë shqiptar që merr drejtimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Xhaferi do ta drejtojë qeverinë teknike deri në fund të qershorit, ku do të mbahen zgjedhjet. Kreu i BDI Ali Ahmeti e quajti një ditë ditë historike për të gjithë shqiptarët. Ndërsa nga ana tjetër Talat Xhaferi, në ditën e votimit si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ka falenderuar publikisht kreun e BDI-së Ali Ahmetin. Xheferi thotë se nuk ekzistojnë mjaftueshëm fjalë që përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin e tij.
Sot është dita që Ballkani Perëndimor flet shqip, por kjo duhet përkthyer në vota shqiptare edhe në zgjedhjet që vijnë pas disa muajsh në Maqedoninë e Veriut, duke pasur si qëllim kryesor rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kjo qeveri nuk është thjesht simbolike, nga kjo qeveri del në pah faktori shqiptar në qeverisjen e një vendi me qëllimin e përbashkët, integrimin në BE.
Prandaj, të gjithë ata që do ta mbështesin, e ndihmojnë. Në të kundërt të gjithë ata që e përçajnë, e çojnë qeverisjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në një rrugë qorre. Dhe shqiptarët mbeten në luftën e përjetshme për identitet në trojet e tyre.