Kryeministri Edi Rama, në një komunikim për mediat, foli për takimin dyditor të zhvilluar në Lezhë, ku në fokus theksoi se ishte edhe infrastruktura.

Në konferencën e mbajtur për mediat, kryeministri u ndal edhe tek Porto Romano, për të cilën tha se ka një ndryshim plani dhe se do të realizohet me financim të brendshëm.

“Porto Romano do të ketë së shpejti një ndryshim dhe është një projekt strategjik duke qenë se kemi përfshirë është NATO-n në këtë proces. Do të kalojë me financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tejzgjatura. Këto janë projekte të mëdha që besoj u interesojnë të gjithëve. Një tjetër projekt i madh është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionë absolut për turizmin. Sipas një të dhënë të re Vlora, është një nga 10 destinacionet më të rezervuara në botë për sezonin e ri, kuptohet në terma relativë, pra fluksi ka qenë në dhjetëshen e parë. Agjencia Kombëtare e transportit do të shërbejë për kalimin në një nivel tjetër të sistemit të transportit dhe të mbulojë një nivel të tjetër të transportit të mësuesve dhe fëmijëve. Do të dëgjoni edhe krijimin e një shoqërie aksionere për prodhimin e automjeteve, një projekt që do të na japë mundësinë që të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme dhe patjetër edhe për eksport, duke u bazuar tek ekspertiza e një vajze shqiptare që e njihni të gjithë”, tha ai.