Deputetët turq kanë ratifikuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke e bërë edhe më të afërt hyrjen e këtij vendi në aleancë.

Suedia, bashkë me Finlandën, u kanë dhënë fund disa dekadave neutralitet më 2022, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Teksa Finlanda është pranuar, Suedisë i është penguar rruga nga Turqia, e ka pasur disa mospajtime me Suedinë lidhur me atë që e ka konsideruar përkrahje të Stokholmit për separatistët kurdë, duke përmendur pjesëtarë të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK).

Turqia, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tani pritet ta nënshkruajë legjislacionin për Suedinë brenda ditëve.

Kjo nënkupton që Hungaria do të jetë anëtarja e vetme e NATO-s, që do të duhet të miratojë kërkesën e Suedisë, ashtu që të finalizohet procesi.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë pas votimit në Turqi se vendi i tij tani është një hap afër NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur lajmin nga Turqia, duke thënë se pret që edhe Hungaria t’iu japë fund procedurave sa më shpejt që është e mundur.

Hungaria e ka akuzuar Suedinë se ka qasje armiqësore.

Në mars të vitit të kaluar, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, i ka akuzuar zyrtarët në Suedi se po qëndrojnë në fronin e superioritetit moral.

Kjo pasi Stokholmi e ka akuzuar më parë Qeverinë hungareze se po rrëshqet kundër parimeve demokratike të BE-së.

Megjithatë, ditëve të fundit ka pasur përparim.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të martën se e ka ftuar homologun e tij suedez në Budapest, për të biseduar për anëtarësimin e Suedisë në NATO.