Dy persona janë arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Më 18 janar, çatia e objektit të Kadastrës të Komunës së Prishtinës kishte rënë. Nga ky incident u lëndua rëndë një qytetare e Kosovës dhe gjendja shëndetësore e saj, sipas njoftimit “mbetet kritike”.
“Sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i kompanisë punuese për vendpunishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, u tha në njoftim. Autoritetet gjyqësore po ashtu njoftuan se kanë angazhuar ekspertë gjyqësorë në fushën e ndërtimit “në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante”.
Më herët gjatë 22 janarit, përmes një konference për media, nga Komuna e Prishtinës u prezantua një raport lidhur me rrëzimin e çatisë. Ekspertët e angazhuar nga komuna gjetën se ka pasur shkelje gjatë ndërtimit të kulmit.
“Është vërejtur se nuk është ekzekutuar asnjë ankerim i brinakeve, por ato vetëm janë mbështetur mbi murin e jashtëm. Kjo është arsyeja kryesore pse erërat e forta disa herë e kanë dëmtuar këtë kulm. Konstruksioni isekondar apo brinaket, përpos që nuk janë ankeruar me fileta metalike për murin perimetrik [traun nga betoni i armuar] ato në shumicën dërmuese të rasteve janë kapur me gozhda dhe jo fileta apo profile adekuate metalike sipas normave”, u tha në raportin e ekspertëve. Gruaja e re që u lëndua më 18 janar ende gjendet në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.