Për shkak të rënies së reshjeve të dëborës, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, bën të ditur se, “njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbatjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora”.
Sipas Policisë Kukës, akset rrugore në njësit administrative Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren, janë të bllokuara.
Akset e tjera rrugore janë të kalueshme me paisje dimërore.
DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.