Vijojnë të rriten rastet me fruth në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se deri tani janë konfirmuar 17 raste me fruth, 4 prej të cilëve me lidhje epidemiologjike dhe shenja klinike.
Sëmundja e fruthit nëse nuk kapet në kohë dhe shenjat klinike zgjasin për një periudhë të gjatë mund të shkaktojë probleme me mushkëritë, trurin, pezmatime të veshit dhe në raste të rralla mund të të marrë edhe jetën. Për të shmangur problemet me fruthin dhe ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve bluzat e bardha rekomandojnë vaksinimin e fëmijëve 1 dhe 5 vjeç, si dhe të lindurit e viteve 1980-1990, pasi një i prekur mund të infektojë 15-20 persona.
Arda Gjermeni, pediatre: Duke qenë se jemi në periudhë virozash kemi patur shumë vizorza të rrugëve të sipërme respiratore të cilat mund të fillojnë me temperaturë të lartë. Është e vështirë të dallohet a është fruth apo jo duke qenë se fillimisht ka temperaturë dhe skuqje sysh dhe kollë dhe prindërit mund ta dallojnë vetë vetëm kur fillon shfaqja në lëkurë. Dhe në këtë fazë e ka transmetuar tek fëmijët e tjerë. Në të gjitha instancat shëndetësore janë ngritur grupe pune të cilët po verifikojnë në kopshte dhe çerdhe fëmijët që nuk kanë kryer vaksinën.
Jonida Diko, mjeke: Po evidentohen fëmijët e grupmoshës 1-5 vjeç të cilët për arsye të ndryshme nuk e kanë kryer vaksinën e fruthit. Këto ditë nga lajmërimi i grupeve të punës janë paraqitur një numër shumë i madh për të kryer vaksinën e prapambetur.
Vaksina e fruthit është e detyrueshme për fëmijët dhe ajo kryhet në moshën 1 dhe 5-vjeçare. Frika se kjo vaksinë shkakton autizëm vazhdon ende në popullatë, edhe pse shkencërisht nuk ka asnjë lidhje mes kësaj vaksine dhe sëmundjes.