Rruga e cila do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë po transformohet rrënjësisht duke përmirësuar standardet për qarkullimin e automjeteve, numri i të cilave do të rritet ndjeshëm sapo aeroporti të vihet në funksion.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se në rrugën e Aeroportit të Vlorës kanë përfunduar punimet për shtresat e asfaltit në të gjithë gjatësinë e saj dhe se aktualisht po punohet me shtrimin e linjave rezervë, linjave të ndriçimit dhe vendosjes së sinjalistikës vertikale provizore.

“Puna në këtë kantier po ecën me ritme dhe do të vazhdojë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të këtij procesi”, siguron ARRSH.

E gjithë gjatësia e rrugës është 2.9 kilometra. Ka pasur një gjerësi prej 3 metrash, rrugë që shërbente vetëm për Akërninë. Tani ka kaluar në një kurorë 12 metra të gjerë dhe me 9 metra asfalt. Aeroporti i Vlorës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16,000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46,690 m2 nga të cilat 32,000 m2 do të jenë për 12 vendqëndrime avionësh dhe 2,000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrfikës. Aeroporti i Vlorës është vetëm një ndër kantieret e shumta që sot po zhvillohen në qarkun e Vlorës dhe që do të kenë impakt të madh ekonomik jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin.