2024 do të shohë përfundimin e Rrugës së Arbrit dhe Unazës së madhe të Tiranës u shpreh zv.kryeministrja dhe ministrja e Transportit Belinda Balluku. Ndërkohë gjatë këtij viti do të hapen të gjitha kantieret e dy akseve të rëndësishme si Korridori i 8-të që shkon drejt Maqedonisë së Veriut dhe Korridori Blu që lidh kufirin e Malit të Zi me Greqinë.
“Dhe të të dyja këto akse vitale do të ndërlidhen ndërmjet e tyre dhe me Bypass-in e Tiranës, që ne e kemi gati për ta filluar”, u shpreh Balluku. Një projekt që pritet me rëndësi është dhe rruga e Ksamilit, por dhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës
“Nuk do ketë shpronësime masive dhe nuk preken shumica e bizneseve, do i shtohet nga një korsi secilës anë”, tha ministrja. Rrogozhina do jetë një pikëlidhje e rëndësishme për transportin hekurudhor, ndërsa qeveria synon dy projekte madhore me lidhje në Durrës dhe në Pogradec, rehabilitim i atyre ekzistuese.
Me rritjen rekord të numrit të turistëve, po vijohet edhe për hapjen e Aeroportit të Vlorës pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa njëkohësisht do të përfundojë edhe Tuneli i Llogorasë. Ndërkohë një reformë e madhe vijon në sektorin energjetik. Shqipëria do ndërtojë katër linja të reja transmetimi, ndërsa pritet të shtohen dhe gati 700 MW fuqi nga projektet e energjisë së rinovueshme.
Një transformim të rëndësishëm po kalon dhe sektori i ujësjellës kanalizimeve. Në përfundim të procesit të konsultimeve ministrja Balluku tha se do të ketë rishikim të tarifave “Nuk do ketë rritje tarifash në mënyrë lineare por do të varet nga cilësia e shërbimit që do të ofrohet. Projekti pilot më i rëndësishëm që ne kemi është Korça”, tha Balluku.