Një rast i trafikimit të mjeteve ka çuar në pezullimin e 4 efektivëve të policisë. Vendimi është marrë nga AMP-ja.

NJOFTIMI I AMP-SE
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin me inicialet M.C., 32 vjeç, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

AMP ekzekutoi gjithashtu vendimin e Gjykatës, për masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj 4 punonjësve të policisë:

– Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Nënkomisar M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

 

 

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në lidhje me këtë procedim penal, ka rezultuar se shtetasi M.C. ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezultojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë. Po kështu është arritur të dokumentohet me prova e fakte ligjore se punonjësit e Policisë, në shpërdorim të detyrës dhe në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si edhe në shkelje të Procedurave Standarde të Punës, nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, mungesat e prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte shtetasi M.C. në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.