Para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, KQZ i ka nisur një letër kryetarëve të partive parlamentare dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore ku adreson një kujtesë mbi disa çështje të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve si edhe të Kodit Zgjedhor.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kërkon rregullimin e herësit, shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, pasi krijon boshllëk në rregullin për shpërndarjen e mandateve të deputetit të fituara nga një parti e caktuar.
“Shfuqizimi i kësaj pike të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, krijon një boshllëk në rregullin për shpërndarjen e mandateve të deputetit të fituata nga një parti, apo një koalicion partish pjesëmarrëse në zgjedhje.Në këtë rrethanë, çmoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet të vlerësojë mbi nevojën e plotësimit të boshllëkut ligjor të krijuar nga vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese.”, thuhet në letër.
Një tjetër pikë që ndalet është vota e emigrantëve, ku thuhet se votimi nga jashtë nuk mund të realizohet nëse Kuvendi nuk do të plotësojë boshllëqet në Kodin Zgjedhor në lidhje me këtë votim.
KQZ kërkon gjithashtu që partitë politike të mos caktojnë administratorë në komisionet zgjedhore, gjë që do të ndihmonte në krijimin e një trupe profesioniste dhe me integritet. Rekomandohet gjithashtu zgjerimi i votimit elektronik.