Në kuadër të operacionit policor të koduar “Lokacioni” janë arrestuar 4 persona, të cilët u kapën në flagrancë teksa shkëmbenin 2 qese plastike në parkingun e një qendre tregtare ne Tiranë, brenda së cilave kishte kanabis me peshë rreth 16.2 kilogramë.

Konkretisht, në pranga ranë: Demokrat Dylgjeri 32 vjeç, Haziz Zylfa 23 vjeç, Vladimir Kani 23 vjeç dhe Hyxhers Mete 23 vjeç. Gjatë kontrollit të banesës së Hyxhers Mete në Korçë, shërbimet e DVP Korçë gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Policia njofton se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 16.2 kg kanabis, 90 gramë kokainë, shuma parash dhe 5 celularë. Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.