Balla: Ndajmë të gjithë të njëjtin vlerësim se Shqipëria sot është një vend, të cilit i është pastruar imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumë vjeçare për sigurinë. Siguria publike gjatë 2023 ishte test që na ka certifikuar si një destinacion i sigurtë turistik dhe në këtë fazë dua të ndaj me ju disa të dhëna nga policia kufitare. Kemi regjistruar në hyrje dhe dalje plot 33.7 milionë shtetas ose rreth 5.2 milionë shtetas më shumë se 2022 në pikat e kalimit kufitar.

Janë regjistruar në hyrje dalje 9.1 milionë automjete dhe krahasuar me 2022 janë 900 mijë automjete më shumë. Gjatë punës së policisë kufitare, janë goditur rreth 87 raste të mosdeklarimit të të hollave me 2.6 milionë euro të konfiskuara, janë goditur 58 raste kontrabande dhe 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike. Dua të them edhe faktin se policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë goditur 154 raste të trafikimit të paligjshëm.

Sapo mbyllim një sezon turistik bëhemi gati për sezonin e ri, dhe duke qenë në fillim të vitit, sikurse janë zotuar, do të kemi një përgatitje më të plotë për të përballuar një fluks edhe më të madh turistësh, dhe për këtë qëllim, që në fund të vitit të kaluar, prezantuam një forcë të re brenda policisë, forca kombëtare e sigurisë, që do të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë publike. Ndërkohë që Inspetoriati kombëtar i mbrojtjes së territorit duhet të garantojë në kohë plazhe të lira dhe bregdet të pastër nga Velipoja në Ksamil.

Dua të ndaj një shifër sa i përket baltës mbi qeverinë për konfiskimet me ligj, kemi për 9 objektet e para si arkëtim të ardhura në buxhet 10.5 milionë euro. Për 4 prej tyre, procesi i pagesës është përfunduar dhe në vijim shlyhet pjesa tjetër.