Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apelon për kryerjen e vaksinës kundër gripit për grupet që kanë rrezik më të lartë që të preken nga virozat e stinës së dimrit, të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu thekson se vaksinimi kundër gripit, konsultimi me mjekun e familjes për të mos neglizhuar shenjat e gripit dhe zbatimi i masave për të mbrojtur veten dhe të tjerët, janë thelbësore për të parandaluar komplikacionet në shëndet.
Ministrja e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me mjekun e familjes për vaksinën falas si dhe qendrave shëndetësore për të marrë shërbim shëndetësor në kohë.
Gjithashtu, ministrja Koçiu ka shpërndarë apelin e shefes së Spitalit Infektiv, Najada Çomos e cili thekson se nuk ka vend për panik, por ka vend për t’u sensibilizuar.
“Duke qenë se jemi në stinën e dimrit, një nga sëmundjet që kemi është gripi ose infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes duke filluar nga sekrecionet nga hundët, nga kolla, nga dhimbja e fytit apo nga pjesa e prekjes së mushkërive siç është pneumonia. Ajo çka unë dua të them është që numri i pacientëve që paraqiten pranë Shërbimit Infektiv është më i shtuar se sa muaji dhjetor dhe natyrisht në Shërbimin Infektiv vijnë pacientë me sëmundje të ndryshme ku tani peshën më të madhe e mbajnë ata persona që janë të sëmurë me infeksione të rrugëve respiratore, kryesisht në pjesën e gripit. Nuk ka vend për panik, por ka vend për t’u sensibilizuar shumë më tepër ndaj kësaj sëmundje dhe sensibilizimi është në dy aspekte. Së pari, ata persona që nuk janë vaksinuar dhe kryesisht ata që kanë sëmundje kronike të nxitojnë për t’u vaksinuar dhe grupi i të sëmurëve kronikë janë diabetikët, janë ata që kanë sëmundje gjaku, ata që kanë sëmundje kronike të mushkërive, ata që kanë sëmundje të veshkave kronike dhe shumë sëmundje të tjera. Dhe kategoria tjetër është ata persona që janë të sëmurë, të ulin kontaktin me persona të tjerë, pra mos të takohen me njerëz që kanë këto lloj infeksionesh të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes për arsye se gripi apo infeksionet aktuale që kemi, janë shumë të përhapshme nëpërmjet komunikimit të afërmt, nëpërmjet dhënies së dorës. Pra duhet ulur veç pjesës së vaksinimit, duhet ulur takimi ose minimizuar takimi me njerëz të sëmurë për arsye se je burim i madh infeksioni për persona të tjerë. Dhe sigurisht jo të gjithë personat që vijnë në spital kanë nevojë për ndihmën e spitalit. Një pjesë e tyre duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes i cili është stacioni i parë ku personi merr ndihmën mjekësore”.