Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “News Line”, komentoi konferencën për mediat të Lulzim Bashës të mbajtur të enjten. Ai e konsideroi Bashën si një politikan atipik, që sipas të cilit nuk e ka ritmin e duhur politik. Sipas tij, nëse Basha futet në ‘luftën’ mes PS dhe Rithemelimit, asgjesohet politikisht.

“Fakti që Basha rikthehet njëherë në disa muaj, e bën atë një politikan atipik. Një kryetar partie siç ai pretendon të jetë, bazën e aktivitetit të tij politik duhet ta bazojë tek frekuenca e lëvizjeve të tij, me qëndrime dhe deklarata, përballje me kundërshtarin në distancë, ky është aktiviteti. Nëse një kryetar thjesht nuk është në njërën nga këto aktivitete, të cilat janë buka e përditshme e politikës, ai thjesht humbet kuotat. Basha si detyrë, në rrugë institucionale është aktiv, por në rrugë faktike, në atë që është përditshmëria e një aktiviteti politik të këtij niveli, ai thjesht nuk është aktiv por një kryetar de facto që vazhdon vetëpezullimin që ka ushtruar disa herë dhe që kësaj radhe po e zbaton në vend që ta thotë. Basha nuk është një kryetar partie, por një emër që herë pas here shfaqet, hedh disa fraza, bën një konferencë shtypi dhe thotë se duhet të luajë i tërhequr. Mendoj se e bën se së pari s’e ka nervin dhe ritmin e një politikani të këtij niveli. Së dyti, e kupton se në luftën e ndezur mes PS dhe Rithemelimit ka frikë se nëse futet, asgjësohet politikisht. Duket si një politikan i kapur se sa një politikan i pazoti për t’u futur në atë terren që sapo thashë.“, u shpreh Minxhozi.

Duke u ndalur tek përplasja me Bardhin, ai thotë se këtë e sheh më shumë si një kundërvënie personale.

“Mua më duket gjithçka strategji e Bashës përveçse fituese e votave. Kjo lloj sjellje politike e Bashës më duket receta perfekte për të humbur vota. Kur vijmë tek Bardhi, kemi një njeri që ka bashkuar de facto armët me atë që dikur e quante babai i Shkëlzenit dhe tani shihet që ka shkuar tek Berisha pasi Bardhi dhe të tjerë po mendojnë se e vetmja mënyrë për një mandat është të ribashkohen me Rithemelimin. Është më realiste që ka dy pjesë, pjesa e vogël e Bashës dhe e mesit që i është atashuar Rithemelimit dhe bëjnë hjë beteje së bashku. Armiqësinë e Bashës me Bardhin nuk e shoh te rregullat dhe kriteret, por tek një kundërvënie personale dhe dy ish bashkëpunëtorëve që sot gjenden në trashe të ndryshme politike sepse Bardhi u largua nga Basha pasi mendoi se nuk vlerën më si kartë politike dhe nuk i ofron më një mandat deputeti.”, shtoi analisti.