Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar “tërmet” për të korruptuarit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Spahiu është shprehur se SPAK dhe kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, nuk mbështeten nga kryeministri Edi Rama, por nga SHBA. Madje Spahiu theksoi se Dumani nuk ka qenë i preferuari i Ramës dhe shtoi se dalja e tij për mediat, kishte si qëllim të bindte publikun se ishte i pavarur. Ai shtoi se besonte se në muajin shkurt SPAK do të ndërmerrte tre goditje të mëdha ndaj faktorëve të rëndësishëm politik. Juristi Spahiu është shprehur se Reformën Zgjedhore nuk mund ta bëjnë PS-PD dhe PL, të cilat sipas tij janë, ata që e fundosën sistemin zgjedhor.
Sipas tij, Reforma Zgjedhore duhet të realizohet nga populli përmes një referendumi. Po ashtu, ai shtoi gjithashtu se tre partitë kryesore në vend janë të interesuara që emigrantët të mos votojnë, pasi kjo sipas tij, do të ishte fundi i tyre.
-Zoti Spahiu, kreu i SPAK nga Shkodra dha sërish sinjale se lufta kundër pandëshkushëmërisë do të vijojë, ndërsa ajo është prioritet i tij dhe institucionit që drejton. Pati diçka që të surprizoi në deklaratën e Altin Dumanit?
Ishte e pritshme dhe një deklaratë e kujdesshme. Ajo që bie në sy është objektivi në të cilën Dumani i ka vendosur vetes, duket që ai po synon të krijoj një profil të pavarur në raport të politikës. Identifikon edhe disa problematika që njerëzit nuk i dinë, ka një pritshmëri më të lartë sesa kapacitet që ka prokuroria. Nuk është SPAK çeli magjik që të zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet në Shqipëri, pra duhet të jetë selektiv në ato që trajton, duhet kualitet i procedimeve dhe të përmbush pritshmëritë për ata që kanë qenë të pandëshkueshëm deri dje. Mendoj se do ketë një goditje treshe, me një gur do vriten 3 zogj. Sot SPAK ka zbarkuar në zyrat e Bashkisë së Tiranës që nënkuptim se mund të zgjerohet hetimi dhe mesazhi që u dha për Metën. Muaji shkurt do jetë një muaj zjarr, që me çështjet që do të ndiqen do të eklipsojnë edhe atë të Berishës.
-Çfarë parashikon që do të ndodh në shkurt?
Parashikoj që do të ketë 3 goditje të mëdha. Mendoj se që vet SPAK e ndjen që është një institucion i besueshëm tani dhe mund të jenë ndërkombëtarët ja kërkojnë që ata të dalin në publik. Mbrojtja më e mirë që mund të marr SPAK është media dhe publiku. Situata ka ndryshuar, deri dje këta nuk janë më prokurorët që hipnin në autobus, por kanë një infrastrukturë mbrojtëse me makina, me shoqërues.
Janë të njëjtët prokurorë që punojnë në kushte dhe rrethana të tjera dhe është shumë pozitive që edhe ata po shfaqin një tjetër anë të medaljes, që ata nuk mund ta bënin të mundur në kushtet e vështira. Në thelbin e vet në të gjithë daljen që ka bërë Dumani, ka qenë të bindë publikun se ky SPAK nuk kontrollohet nga regjimi i Edi Ramës. Altin Dumani nuk ka qenë i preferuari i Ramës dhe anasjelltas. Janë disa pushtete antagoniste në këtë moment, që i shërbejnë publikut dhe pavarësisë. Pra unë mendoj se Altin Dumani dhe SPAK nuk kontrollohet nga regjimi i Ramës, por nga SHBA.
-Sa i përket Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri tha se opozita është duke u zënë për një karrige. Keni një koment?
Për një karrige po zihen të treja palët. Në fakt për një karrige po zihen të treja palët. Kjo është fatkeqësia më e madhe që ndodh me situatën politike. Për turpin e vetë reformën duan ta bëjnë ata që e kanë fundosur sistemin elektoral. Nuk mundet ta reformojnë ata që e kanë konsumuar. Nuk mundet të japin alternativa të reja ata që e kanë fundosur sistemin elektoral.
Të vetmit që nuk mund të bëjnë reformë zgjedhore në Shqipëri janë Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë. Ne duam një reformë zgjedhore. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kërkon të bëjë reformë zgjedhore çdo 4 vite. PD a ishte në pushtet, ajo e ka katandisur kështu. Çfarë do bëjë PS, kur ka penguar që të hyjnë parti të reja. ne jemi shtet që kemi më shumë emigracion dhe nuk i njihet vota e atij populli që jeton në emigracion. Reformën zgjedhore mund ta realizojë vetëm populli përmes një referendumi. Vetëm populli mund të sjellë ndryshim.
-Ndërkohë të ndalemi pak tek sporti. Thuhet se tifozët shqiptarë nuk po arrijnë dot që të sigurojnë një biletë për të mbështetur flamurin e tyre. Kaq shumë kërkesa mund të ketë pasur?
Kemi të bëjmë me një padrejtësi që i bëhet tifozëve. Sepse janë bërë 500 aplikime dhe kanë qenë negative. Shqiptarët duhet të kuptojnë se FIFA dhe EUFA janë dy organizime mafioze planetare ku janë të lidhura interesat e gjithë oligarkëve të Evropës. Një pjesë e këtij organizimi mafioz janë edhe tregtimi i biletave të cilat do të shiten me çmim 10-fish apo edhe 100-fish. Ajo që ne kemi gabuar dhe janë rrëzuar aplikimet e tifozëve shqiptar është se kemi aplikuar si tifozë shqiptarë.
Nëse do të kishin aplikuat si tifozë gjermanë ne do e kishim siguruar biletën. Pra prioriteti i UEFA-s kanë qenë tifozët gjermanë dhe banorët në qytetet përkatëse. Do ketë edhe një raund tjetër që do jetë më i kufizuar dhe ata që do tentojnë të aplikojnë të mos aplikojnë si tifoz shqiptar. Kemi proceduar gabim, duke humbur mundësinë e parë dhe shpresojmë që ta rregullojmë me një truk duke aplikuar si tifoz gjerman.