Në rekursin e dorëzuar Gjykatës së Lartë, në të cilin SPAK kërkon kthimin në burg të Jamarbër Malltezit, dy prokurorët e çështjes shprehen se ai kreu korrupsion duke bashkëpunuar me funksionarin më të lartë të kohës.
“Konkretisht me ish-kryeministrin Sali Berisha”, theksojnë dy prokurorët, sipas të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se janë cenuar themelet e shoqërisë në strukturat më të larta. Prokurorët shtojnë se mbajnë parasysh në këtë rekurs edhe vlerën e lartë të parave që dyshohet se u pastruan, kohështrirjen e aktivitetit kriminal dhe që sipas tyre i çon në konkluzionin se Gjykata e Apelit nuk e respektoi ligjin kur zbuti masën nga arrest me burg, në arrest shtëpie.
Dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai që po hetojnë dosjen Partizani, i thonë Gjykatës së Lartë se Shqipëria vuan ende nga nivelet e larta të korrupsionit, në shumë fusha dhe po sipas tyre është kjo arsyeja se përse qeveria shqiptare e ka vendosur këtë luftë në listën e përparësive më të rëndësishme të politikës së saj.
SPAK thotë më tej se veprat për të cilat dyshohet Malltezi, ajo korrupsionit dhe pastrimit të parave sanksionohen dhe dënohen me burg. Aq më tepër kur siç dyshojnë Prokurprët e SPAK veprat janë kryet në rrethanën cilësuese të bashkëpunimit. Ndërsa Jamarbër Malltezi dyshohet edhe për pastrim të parave, kjo vepër sipas SPAK dëmton rëndë ekonominë e një vendi në terma afatgjatë, shtojnë më tej dy prokurorët, sipas të cilëve impaktohet edhe sistemi financiar.