Qeveria i është përgjigjur Lulzim Bashës, i cili sërish në një konferencë për mediat tha se ka indicie se mazhoranca do të kontrollojë SPAK-un.

Ministrja për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, nënvizon se Partia Socialiste është forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi dhe e vetmja garante e thellimit të kësaj reformë historike. Me ironi, Spiropali thekson se Lulëzimi u zgjua befas këto ditë për të mbrojtur SPAKU-n nga ata që e mbështesin si askush në historinë e këtij vendi.

“Flej ta marrsha t’keqen”, do thoshin shkodranët për Lulëzimin që këto ditë zgjohet befas për të mbrojtur SPAK-un nga ata që e dëshiruan, konceptuan, krijuan dhe e mbështesin si askush, kurrë në historinë e këtij vendi, pa kushte e pa komente kurdo e kudo godet! Dhe ata nuk janë as në qiell, as në det apo matanë detit, po janë këtu dhe quhen Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi dhe e vetmja garante e thellimit të kësaj reforme historike, që askush, askurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar nuk guxoi ta mendonte seriozisht, jo më ta ndërmerrte. Prandaj, kthehu nga krahu tjetër Luli dhe fli i qetë se nuk ka punë që pret zgjimin tënd!’- shkruan Spiropali.