Elvisi mbërriti në botën e muzikës në kohën e duhur, kur lindi nevoja për të “zbuluar” të rinjtë dhe për t’i ikur nga konformizmit të viteve pesëdhjetë. Beatles mbërritën në kohën e duhur, kur dekada e re po sillte me vete një atmosferë revolucioni. Pink Floyd tregoi një botë të re në vitin 1973 dhe Sex Pistols bënë të njëjtën gjë në 1977. Michael Jackson ishte ai që pa momentin e duhur në 1982 dhe Springsteen në 1984. Mund të kujtojmë kështu edhe Nirvanën e Kurt Cobainit në 1991 dhe mund të vazhdojmë.
Gjithmonë, ka pasur në historinë e muzikës pop ndonjë artist që arrin sukses absolut pikërisht në momentin kur e gjithë bota duket se është në sintoni me të. Ose e kundërta: bota në një moment të caktuar përputhet pikërisht me muzikën, këngët, shpirtin e mishëruar nga një artist i vetëm.
Dhe kjo është ajo që po ndodh me Taylor Swift, super-hiper-mega-ultrayllin e parë të vërtetë të mijëvjeçarit të ri. Ajo mbërriti menjëherë pas revolucionit që përmbysi muzikën e së shkuarës dhe është artistja që, më shumë dhe më mirë se çdokush tjetër, arriti të kuptonte se çfarë duhej për miliona njerëz që kërkonin muzikën e duhur. Metodat e krijimit, perceptimit dhe konceptimit të këtij arti kanë ndryshuar. Dhe nuk ka më zhanre të përcaktuara si pop, rock, funk apo rap.
Ajo diti të shfrytëzonte rastin dhe krijoi një zhanër që i përket në mënyrë unike. Muzika e saj është pop, i flet një audience të gjerë, por në të njëjtën kohë zotëron një sofistikim të jashtëzakonshëm kompozicional. Muzika e saj është rock, në një mënyrë të lehtë, komunikuese, në dukje qetësuese, por në realitet, në shumë mënyra provokuese. Muzika e saj është country, por tradita është e maskuar dhe e fshehur, nuk ka asgjë tradicionaliste në çdo gjë që bën. Ajo është kantautore, tregon historitë e saj, me fjalët dhe tingujt e saj. Dhe bashkëpunëtorët dhe autorët që punojnë me të janë të gjithë të cilësisë më të lartë, shumë prej tyre vijnë nga botë krejtësisht të ndryshme zanore dhe kulturore nga ajo e saj. Sepse ajo, ndryshe yjet e tjerë të kohës sonë, është e hapur ndaj mundësive, nuk qëndron e mbyllur në guackë, nuk i pëlqen të përsëritet, gjithmonë kërkon diçka tjetër. Ajo mainstream-in e krijon, nuk e ndjek.
Është e lehtë të mendosh se ka yje të tjerë të mëdhenj të viteve 2000, por, në të vërtetë, mes vulgaritetit ekstrem të shumë prej tyre, përsëritshmërisë së repertorit të tyre, varfërisë së ndjenjave, është e vështirë të gjesh dikë që mund të përballojë krahasimin. Dhe jo sepse Taylor Swift shet më shumë, fiton më shumë, është më e famshme dhe e dashur. Jo, numrat kanë pak vlerë në këtë lloj krahasimi, ka shumë që shkojnë të parët në renditje dhe shpesh, në një botë muzikore në të cilën “të dëgjosh” nuk është saktësisht një aktivitet parësor.
Nuk ka krahasime sepse Taylor Swift mendon për muzikën, për atë që shkruan, këndon dhe luan. Çka nuk do të thotë dhe në fakt nuk mund të thuhet, se nuk ka muzikë më të mirë se e saja, më origjinale, më interesante. Por muzika e saj, këngët e saj dhe, siç e dikton rregulli i muzikës pop, imazhi i saj, fytyra, rrobat e saj, përbëjnë një enigmë në të cilën të gjitha pjesët janë në vendin e duhur për një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish, të cilët besojnë në atë muzikë, në ato këngë, në atë fytyrë. Po, besojnë.
Ajo nuk është një yll “peshëlehtë”, nuk e shet muzikën e saj sepse është e bukur apo e këndshme, përkundrazi idetë dhe pozicionet e saj të pakta por të zhurmshme politike, këto ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk gëzojnë një konsensus unanim. Është e gjithë gjëja që ka kuptim, fjalët, gjestet, muzika. Dhe nuk duhet nënvlerësuar se audienca e saj është, në shumicën dërrmuese, gra e vajza.
Me kalimin e viteve, Taylor Swift shpesh ka lëshuar mesazhe dhe ka marrë pozicione që e kanë bërë atë të bëhet një heroinë e vërtetë feministe, veçanërisht në një industri muzikore që ende dominohet totalisht nga burrat. Ajo që për shumë mund të duket vetëm si zgjedhje e diktuar nga ankthi i shitjeve, si rinxjerrja e të gjitha albumeve të veta për të rifituar të drejtat, janë parë si gjeste të çlirimit artistik dhe të pavarësisë.
Lady Gaga, Miley Cyrus dhe Beyoncé janë ndoshta më transgresive, sensuale, provokuese, por Taylor Swift nuk luan në ligën e tyre, ajo mishëron frymën e kohës dhe e bën atë në një mënyrë pozitive, duke përhapur shpresë kudo. Shpresa në një të ardhme që nuk është ajo e “paqes dhe dashurisë” së viteve gjashtëdhjetë, por ajo e së sotmes. Ose më saktë, për të qenë të saktë, e së nesërmes. / La Repubblica – Bota.al