Me dorëheqjen nga posti dy ditë më parë, Dimitar Kovaçevski i hapi rrugën krijimit të qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, detyra e së cilës do të jetë përgatitja për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj të këtij viti. Detyra i kalon Talat Xhaferit, i cili bëhet kështu kryeministri i i parë shqiptar i vendit fqinj. Xhaferi megjithatë, i cili pritet të votohet në krye të ekzekutivit maqedonas jo më vonë se 28 janari, nuk do të ketë kompetenca të plota.

Naser Ziberi, kandidat për kryeministër nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, i tha REL-së se më mirë do të kishte qenë që BDI-ja të pajtohej me një propozim të VMRO DPMNE-së për anulimin e qeverisë teknike, në 100 ditët e fundit të punës së ekzekutivit, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapej rruga për marrjen e një kryeministri politik, apo me kompetenca të plota.

Ziberi, që tani është në postin e Avokatit të Popullit, e konsideron pozitiv fakti që në vend do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar, por kapaciteti i tij do të jetë i kufizuar. “Fakti se ai do të jetë konform asaj që parasheh Ligji për qeverinë, pra me kapacitet të cunguar, kjo do të thotë se ajo qeveri nuk është politike por teknike. Pra, kapaciteti i saj është i reduktuar dhe kjo lë për të dëshiruar. Nuk është kryeministër me kapacitet të plotë”, thotë Ziberi.

Megjithatë, BDI-ja vazhdon ta përcaktojë caktimin e Xhaferit si kandidat për kryeministër të Qeverisë teknike, e ka vlerësuar si një nga “arritjet më të mëdha”, pas kryetarit shqiptar të Kuvendit, që ishte Talat Xhaferi, por edhe ministrave shqiptarë të Punëve të Brendshme, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme.