Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola ka deklaruar se tashmë do të ‘flejë me mirë’, pasi Jurgen Klopp njoftoi largimin nga Liverpool në fund të sezonit.

Ai e konsideroi Klopp si rivalin e tij më të madh që prej Bundesligës kur spanjolli drejtonte Bayern Munich ndërsa gjermani Borusia Dortmund.

“Do të fle më mirë”, tha ai, pas fitores 1-0 të Cityt ndaj Tottenhamit të premten.

“Ditët para se të luaja kundër Liverpoolit ishin pothuajse një makth. Sigurisht që ai do të mungojë. Unë u trondita, si të gjithë, nga lajmet. Ndjeva se një pjesë e Man City do të humbiste. Ne nuk mund ta përcaktojmë periudhën tonë këtu së bashku pa të dhe Liverpoolin; është e pamundur. Ata kanë qenë rivali ynë më i madh dhe personalisht ai ka qenë rivali im më i madh që kur ai ishte në [Borussia] Dortmund dhe unë në Bayern [Munich]”, shtoi spanjolli, raporton “ESPN”.

Guardiola, megjithatë, tha se pas më shumë se shtatë vitesh në “Etihad Stadium”, ai ende nuk e ka përjashtuar mundësinë e vazhdimit të kontratës së tij, e cila do të përfundojë në verën e vitit 2025.

Ai tha se beson se do të takohet përsëri me Kloppin në fushë, pavarësisht se Klopp tha se karriera e tij si trajner mund të ketë mbaruar.

“Ndoshta është një mendim që ai nuk do ta pranojë, por do të kthehet. E di. Ndoshta pas 10 vitesh, ai mund të ketë nevojë të rimbush energjinë e tij. Me personalitetin dhe energjinë e tij, ai do të kthehet. Kombëtarja, ekipet e tjera, nuk e di, por futbolli ka nevojë për personalitete si ai”, tha trajneri i “Qytetarëve”.