Ish-ministri Fatmir Mediu i cili është vënë nën akuzë nga SPAK për tragjedinë e ‘Gërdecit’ është paraqitur mëngjesin e sotëm në GJKKO. Sot është parashikuar që të vijojë thirrja në gjyq e dëshmitarëve për tragjedinë që i mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë.

Gjykata kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur 71 dëshmitarë në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.

Në seancën e kaluar (27 dhjetor) dëshmoi Shkëlzen Berisha, i lakuar prej 15 vjetësh si personi kyç në përcaktimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec dhe lidhjet me Mihal Delijorgjin.

I thirrur për të dytën herë në GJKKO, pasi janë marrë edhe deklaratat e dëshmitarëve, Shkëlzeni tha se gjykata e ka thirrur kot. Ashtu si Fatmir Mediu ish ministër mbrojtje dhe Aldo Bumçi ish ministër drejtësisë, as djali i ish kryeministrit nuk di asgjë për faxin e vitit 2007 me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’, dokument që përcaktonte se fabrika do të ngrihej në Gërdec.
Ishte Anila Gjergji me detyrë inxhinierie softëare-i e ministrisë së Mbrojtjes që dëshmoi faksin e ardhur nga ministria e Drejtësisë i shënjuar “për Shkëlzenin’ ku përcaktohej Gërdeci si vendi i demontimit, fakt për të cilin të gjithë zyrtarët e thirrur kanë ngritur shpatullat para prokurorëve duke thënë se nuk kishin firmosur, nuk dinin gjë dhe nuk e kishin dërguar ata.