Nëse në 2023 çmimet për pushimet verore i konsideronit të larta, viti aktual do t’ju përballë me më shumë kosto. Shqipëria do të jetë edhe më e kripur. Zhvillimi i sektorit të turizmit duke sjellë më shumë të huaj në vend pritet të rrisë çmimet si për agjencitë e udhëtimit, por edhe strukturat akomoduese e restorantet. Për një paketë turistike që përfshin fluturimin, akomodimin dhe pjesërisht ngrënien deri në 700 euro, një turist në 2024-ën do të paguajë nga 30-35% më shtrenjtë.
“Ne do kemi një rritje të turistëve. Është turizmi i organizuar që i kemi kontratat të lidhura më parë. Referuar kontratave kemi 30-40% rritje të kërkesave. Nëse flasim për turizëm të organizuar me kontrata të parapaguara kemi rritje 30-35% më shtrenjtë paketa.”, tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Sipas agjencive turistike prenotimet nga të huajt për muajt e verës (korrik, gusht) tashmë janë të ezauruara në 90% të tyre. Por për të shmangur efektin boomerang atë të zhgënjimit të turistëve për shërbim sa më cilësor, strukturat kanë lidhur kontrata të sigurta me vendet aziatike me staf të kualifikuar. Me ndërmjetësimin e Ministrisë së Ekonomisë, kreu i Unionit turistik thotë se këta punonjës pritet të mos e përdorin më Shqipërinë si një vend tranzit drejt shteteve të tjera.
“Nga vende që kanë eksperiencë në turizëm siç janë nga Tailanda etj. Këta punonjës do jenë minimum anglisht dhe me eksperiencë. Ajo që është risi se duke u kanalizuar me shtetin sdo kete burokraci apo kosto shtesë. Do kemi lehtësime”, tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Strukturat turistike në vend po i hedhin sytë tashmë drejt një turizmi gjithëvjetor dhe me synimin kryesor: kush vjen një herë të kthehet përsëri.
“Unë e mendojë si provë 2024 dhe nëse kthehen me përshtypje të mira këta turistë mund të themi që do shkojmë drejt turizmit të qëndrueshëm.”, tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Në 2023 Shqipërinë e vizituan 10.1 milionë turistë, ndërsa në 2024 qeveria synon shifrën e 15 milionëshit.