Shërbimi i sigurisë i Ukrainës njoftoi se ka zbuluar një skemë për përvetësimin e rreth 40 milionë dollarëve të destinuara për të blerë predha mortajash për ushtrinë e këtij shteti.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi mbrëmjen e 27 janarit se pesë persona janë akuzuar për këtë skemë dhe një prej tyre u arrestua teksa po tentonte të largohej nga shteti. Nëse gjenden fajtorë, ata mund të dënohen deri me 12 vjet burgim.

Hetimi erdhi përderisa Kievi po tenton të luftojë korrupsionin me qëllim që të përshpejtojë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO. Zyrtarët e dy këtyre institucioneve kanë kërkuar reforma të gjera para se Kievi të mund të anëtarësohet. SBU-ja tha se hetimi “ka ekspozuar zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes dhe menaxherët e furnizuesit të armëve, Lviv Arsenal, që vodhën pothuajse 1.5 milion hryvnya [monedha kombëtare e Ukrainës] për blerjen e predhave”.

“Sipas hetimit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe krerët e kompanive të lidhura ishin të përshirë në këtë skemë mashtrimi”. Sipas hetimit, me paratë është dashur të blihen 100.000 predha të mortajave për ushtrinë.

Pasi kanë pranuar pagesën, punonjësit e kompanisë është dashur t’i transferojnë fondet te një biznes i regjistruar jashtë, i cili më pas do të dërgonte municionin në Ukrainë. Megjithatë, mallrat nuk u dërguan kurrë në Ukrainë dhe paratë u dërguan në disa llogari në Ukrainë dhe Ballkan, thanë hetuesit.