Rruga “Ura Domje – Lagjia Tagan”, është një prej 100 rrugëve rurale që do të asfaltohen nga Bashkia e Tiranës. Pasi pa nga afër punimet për asfaltimin e saj, kryebashkiaku Erion Veliaj foli për impaktin që do të kenë këto investime për fshatin.
“Kjo është një rrugë, që jo vetëm për mijëra banorë të zonës, por qindra ekonomi lokale zhvillohen nga kjo rrugë. Duke u rritur vlera e pronës shoh shumë familje të qytetit që janë transferuar në fshat. Për shembull, qendra e Qehasë hapi një mundësi edhe për ekonomitë e fshatit. Prona u rrit, u shitën një pafundësi tokash. Është një formulë “win-win”. Këtë vit kemi planifikuar rreth 100 rrugë rurale – rrugë, rrugica, shtigje, ura. Por, nuk i shoh si 100 projekte asfalti, i shoh si 100 mundësi, 100 lidhje, 100 miqësi, 100 tregti, 100 shoqëri, 100 potenciale për të bërë më mirë”, tha Veliaj.
Duke falënderuar banorët, Veliaj tha se pengesave të kundërshtarëve politikë, i përgjigjet vetëm me punë.