SHBA- Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e djeshme në Florida një police nga SHBA ka folur për ngjarjen ku sipas saj autori i vrasjes së shqiptares Suela Saliaj mund të dënohet me vdekje. Erida Caudili, e cila punon si Policja në SHBA, Erida Caudili në një intervistë për “Good Morning Albanians” ështe shprehur se vrasja e regjistruar dje në Florida në sy të vajzës së mitur mund të dënohet me dënim maksimal.
Sipas polices autori shqiptar Renato Muhaj mund të dënohet me vdekje, por kjo çështje do të marrë shumë kohë për t’u shqyrtuar.
“Në Florida ka dënime me vdekje. Zotin Muhaj e kanë akuzuar për vrasje me paramendim. Vrasja me paramendim merr dënimin maksimal dënim me vdekje. Këto çështje janë shumë të vështira. Ai është i pafajshëm deri në momentin që shteti nuk e deklaron të fajshëm. Ai momentalisht është në paraburgim. Këto çështje shkojnë nga 3-4 muaj deri në 15 vite për t’u shqyrtuar masa e dënimit. Më pas ai ka të drejtën e Apelit,” tha Caudili.
Saliaj u gjet e vdekur brenda në banesë pas raportimeve për zhdukjen e vajzës së saj. Akoma më tronditëse ështe se pas vrasjes së shqiptares dhe zhdukjes së vajzës së saj qëndron bashkëshorti, Renato Muhaj. 34-vjeçari shqiptar pasi ka vrarë gruan më pas ka rrëmbyër vajzën e tyre të mitur. Sipas policisë, Muhaj ka sulmuar edhe prindërit e tij në banesë të cilët janë dërguar për mjekim në spital. Ende nuk dihen shkaqet e këtij krimi të rëndë ndërsa çifti jetonte prej vitesh në SHBA.