TIRANË– Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ka mbajtur fjalën e tij në ceremoni që po mbahet në Kryeministri për 13-vjetorin e protestës së 21 janarit në 2011 ku humbën jetën 4 demonstrues, mes tyre edhe nipi i tij.
Nika tha se topi tashmë është lënë te drejtësia shqiptare, dhe u shpreh se Gjykata Europiane i ktheu shpresën se do ketë drejtësi për viktimat.
“Gjykata Europiane e Strasburgut na ktheu shpresën se do të ketë drejtësi. E kam thënë dhe e përsëris, vrasja e Aleksit, dhe tre protestuesve të tjerë, ishte e rëndë. Ata ishin protestues paqësor. Nuk kishte arsye që të vriteshin. Asgjë tjetër veç një urdhër nga lart mund të çonte drejt vrasjes së tyre. Presim drejtësi! Topi është në drejtësinë shqiptare, presim.”, tha Nika.
Dita e sotme shënon 13 vite nga protesta e 21 janarit të vitit 20211, ku 4 demonstrues u vranë me armë zjarri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit. Protesta e 21 janarit të 2011, e zhvilluar para Kryeministrisë nga Partia Socialiste, e cila asokohe ishte opozitë, degradoi në vrasjen e 4 demonstruesve dhe plagosjen e disa të tjerëve. Për këto vrasje u dënua gardisti Agim Llupo me 3 vite burg nën akuzën “vrasje nga pakujdesia”, si dhe me një vit burg kreu i Gardës, asokohe Ndrea Prendi.