GREQI-Në mes të tetorit të kaluar, oficerët e policisë në Mal të Zi ndaluan për kontroll një makinë të marrë me qira, në të cilën ndodheshin tre persona. Njëri prej tyre tregoi një pasaportë greke me të dhënat Vassilis Pappas dhe dy të tjerët pasaporta armene që dukej se ishin origjinale.

Oficerët njoftuan pasagjerët se do të kryenin një kontroll të mëtejshëm në brendësi të automjetit, por tre personat dolën jashtë dhe filluan të vrapojnë. Një nga armenët e ulur në sediljen e shoferit u arrestua në vend, ndërsa dy të tjerët u arratisën. Brenda makinës u gjetën një automatik “Scorpion” dhe dy pistoleta “Glock”.

Dy ditë më vonë, Vasilis Pappas u arrestua në pikën kufitare të Sukobinit, këtë herë me pasaportë false lituaneze, duke tentuar të largohej nga vendi. Nga hetimet rezultoi se ai ishte një shqiptar, 25 vjeç, pa precedentë të rëndë penalë, i identifikuar si Xhonatan Pajo. Ai vetë mbetet i burgosur në Mal të Zi për çështjen e armëve dhe për më tepër sot është ndër të dyshuarit në rastin e të ashtuquajturës “Mafia Greke”.

Më konkretisht, lidhjet telefonike dhe gjetjet në makina dyshohet se e lidhin atë me bërthamën vrasësve, të cilët po herohen për vrasjet e Skaftouros, Ruoumpetis dhe Mouzakitis. Hetimet tregojnë se një numër telefoni i lidhur me 26-vjeçarin shqiptar dyshohet se është aktivizuar në një kohë dhe vend që përkon me djegien e një automjeti në Skaramangas, i cili u përdor në vrasjen e dyfishtë të Vassilis Roumpetis dhe Dionysis Mouzakitis në Korydallos.

Sipas mediave greke, malazezët e kishin konsideruar të rëndë rastin me armët në makinë dhe kishin njoftuar autoritetet greke. Pas një kërkese zyrtare për ndihmë gjyqësore, ata dërguan në Athinë të gjithë elementët e hetimit që kishin nisur. Nga gjetjet laboratorike rezultoi se në të njëjtën makinë u gjetën gjurmët e gishtërinjve të një burri, banues në Aspropyrgos në Greqi, me origjinë nga Kazakistani. Një bombë u vendos në shtëpinë e tij verën e kaluar. Ai, së bashku me dy të pandehurit kryesorë në çështjen e mafies greke, u akuzuan në vitin 2018 për pjesëmarrje në një rrjet që transportonte emigrantë nga Katakolo në Itali.
Nuk përmendet në mënyrë eksplicite në dosjen e çështjes për mafian greke, por hetuesit besojnë se grupi i tre personave të gjetur tetorin e kaluar në Mal të Zi po planifikonte të ekzekutonte një kontratë të re, ndoshta në qytetin e Budvës. Pyetja që lind është se kush ishte objektivi i goditjes.

CIGARET

Vrasjet mes anëtarëve të të ashtuquajturës “Mafia greke” i atribuohen luftës kundër kontrabandës së cigareve. E vërteta është se kishte dy grupe rivale, njëri me bazë në Ukrainë, që konkurronin për një pjesë të “tortës” së madhe të shërbimeve “mbrojtëse” për kontrabandistët e cigareve. Bilanci u prish kur në një moment lojtarët e rinj tentuan të aktivizoheshin në Greqi.

Mbetet e paqartë se deri në çfarë mase kriminelët ishin përpjekur të zënë vendin e kontrabandistëve. Përveç vrasjeve, mafias greke i atribuohen edhe dy zjarrvënie në objekte biznesi në Aspropirgos. E para ndodhi rreth 24 orë pas vrasjes së Roumpetis në qershor 2023 dhe kishte në shënjestër kamionët e kompanisë së Skaftouros, të cilët ndodheshin në një parking privat karburanti. Në pjesën e pasme të njërit prej kamionëve ishte një komplet makinerie për prodhimin e cigareve.

Një sulm i njëjtë ka ndodhur një javë më vonë, në një magazinë në Aspropirgos. Atë e paguante një biznesmen që duket se ishte i lidhur me Skaftouros. Edhe në këtë rast, nga sulmi u shkatërruan makineritë e linjës së prodhimit të cigareve.

“Philip Morris” ka bërë të ditur se pajisja në fjalë është një komplet makinerie e nevojshme për prodhimin dhe paketimin e cigareve, të cilat kur lidhen mund të formojnë një linjë bazë të prodhimit dhe paketimit të cigareve”, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Prania në Mal të Zi e Xhonatan Pajos konsiderohet si jetike për çështjen që vijon orët e fundit në Athinë. Kjo, sepse vendi i vogël ballkanik që laget nga Adriatiku tashmë është konsideruar si “Meka” për kontrabandistët e cigareve që në vitet ’90.

Gjithashtu, sipas burimeve të sigurta, persona të cilët policia ka hasur gjatë hetimeve të mafias greke, për të cilët nuk është ngritur akuzë, kanë pasur në të shkuarën e afërt aktivitet të diskutueshëm profesional në Mal të Zi dhe lidhje të larta që kanë arritur edhe te vetë ish-presidenti i vendit Milo Gjukanoviç.

Porti i Tivarit në Mal të Zi konsiderohet si një portë për kontrabandën e cigareve. Kompani off-shore dhe guaskë që blejnë cigare, shumë prej të cilave prodhohen edhe në Greqi, janë të vendosura atje.

Në Tivar, cigaret ngarkohen në anije dhe praktikisht eksportohen kryesisht në Libi dhe Egjipt. Të njëjtat ngarkesa qarkullojnë pa doganë jashtë Bashkimit Evropian, kështu që ato konsiderohen të vlefshme brenda Bashkimit Evropian.

Kështu, anijet e cigareve ndryshojnë rrugën e tyre në det të hapur dhe shkarkojnë në plazhet e shkreta të Peloponezit dhe Kretës. Mallrat e paligjshme, të përjashtuara nga taksat, më pas kanalizohen nga partnerët e rrjetit në vende me tarifa të larta, të tilla si, për shembull, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

Të dhënat e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) tregojnë se vetëm në periudhën 2014-2019, të paktën 20 anije cigaresh që kishin lundruar nga Mali i Zi dyshohet se janë përfshirë në kontrabandë cigaresh. Shtatë prej tyre ishin sekuestruar, shumica në Greqi dhe tre të tjera u karakterizuan si me flamur të kuq nga e njëjta organizatë dhe të paktën dhjetë anije të tjera cigaresh kishin saktësisht të njëjtat karakteristika me ato të kontrolluara nga autoritetet, rrugë, ngarkesa, kompani virtuale në Mal të Zi dhe Libi/Egjipt.