Ditën e sotme GJKKO kaloi për gjykim dosjen e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani dhe 19 të akuzuarve të tjerë për vepra të ndryshme penale. Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv eksperti i sigurisë Fatjon Softa dhe gazetari Sokol Dema diskutuan për dosjen “Plumbi i Artë” ku përmendet edhe emri i Ervis Martinajt, “mbretit” të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.

Lidhur me zhdukjen e Martinajt, eksperti i sigurisë Softa tha se ka shumë rast në botë kur persona të një niveli të tillë që kanë mundësi të mëdha financiare, transformojnë pamjen e jashtme edhe me anë të operacioneve plastike dhe shfaqen pas shumë vitesh.

“Ka shumë raste në botë ku persona të zhdukur të atij niveli janë shfaqur pas shumë vitesh dhe për aq kohë sa nuk ka një kufomë, kjo mundësi mbetet e tillë. Mund të jetë brenda apo jashtë territorit dhe mundësia e transformimit të pamjes së jashtme është. Rasti i Martinajt është i veçantë për shkak të vlerave financiare dhe njohjeve që kishte”- tha Softa.

I të njëjtit mendim ishte edhe gazetari i Report Tv Sokol Dema i cili tha se nuk dihet nëse Ervis Martinaj është eleminuar fizikisht apo ka krijuar alibi për t’u zhdukur dhe për t’u rikthyer më vonë.

“Policia ka disa informacione më tepër por edhe vetë ata nuk i kanë të konfirmuar. Në kushte të tilla nuk mund të mbajmë asnjë mendim sepse nuk ka prova.

Kemi të bëjmë me një personazh që shumë thjesht mund të ketë krijuar një alibi për t’u zhdukur dhe për t’u rikthyer shumë vite më vonë por kishte edhe një numër grupesh kriminale që donin ta eliminonin”- u shpreh gazetari.